A po detyrohen edhe boshnjakët e Verit të dalin në barrikada?

Deputetja e Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje ka deklaruar për Albanian Post se nuk ka boshnjak në Kosovë që bëhet pjesë e barrikadave në veri, sepse boshnjakët nuk kanë shtet tjetër pos Kosovës.

Kështu ka deklaruar ajo, pas zërave se një pjesë e komuniteti boshnjak në veri po detyrohen nga strukturat paralele atje që të dalin edhe ata në barrikada për të bllokuar qarkullimin në atë pjesë të territorit të Kosovës.

“Unë mund të garantoj që asnjë boshnjak nuk ka dalë në barrikada dhe mund të garantoj se ne boshnjakët nuk kemi shtet tjetër, nuk kemi shtet rezervë”, tha Balje.

Por, Nexhat Ugljanin, boshnjak nga Veriu dhe Kryetar i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, i tha mediumit boshnjak “Istraga” se serbët e instrumentalizuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, “po i dërgojnë edhe boshnjakët në barrikada, të cilët detyrohen të binden për shkak të punës”.

Boshnjakët në Mitrovicë jetojnë në një lagje që ndodhet midis Mitrovicës së Jugut të banuar nga shqiptarët dhe Mitrovicës së Veriut të banuar nga serbët.

Të pranishëm në protestën e organizuar nga serbët të enjten, sipas raportimeve jozyrtare, ka pasur edhe qytetarë nga komuniteti boshnjak.

Ata edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-99, u përballën me një zgjedhje të tmerrshme. Atyre iu kërkua të mobilizoheshin dhe të luftonin së bashku me serbët.

Ky fakt, tregon efektin e instrumentalizimit politik të përkatësisë etnike në ruajtjen e status quo-së sociale në shoqëritë e karakterizuara nga heterogjeniteti etnik.

Pra, përveç bllokimit të rrugëve, kontraktorët e Vuçiç’it në terren po përpiqen të përmbysin diversitetin etnik ekzistues.

Elitat politike në Beograd shfrytëzojnë “naivitetin e serbëve dhe të boshnjakëve, të cilët jetojnë në pasiguri për realitetin dhe përjashtimin shoqëror”.

Tashmë kanë kaluar dy javë prejse grupet kriminale në Veri kanë bllokuar rrugët duke vendosur 11 barrikada në pjesë të ndryshme të veriut.

Barrikadat u vendosën pas arrestimit të Dejan Pantiç nga Policia e Kosovës.

Ai u arrestua për shkak të sulmeve ndaj policisë.

Pantiç ishte zyrtar policor vetë në të kaluarën, por edhe ai si 500 veta të tjerë u larguan nga policia me vendimin e Listës Serbe për t’i hequr nga institucionet serbët e Kosovës.

Vendim që u mor si shenjë proteste pasi qeveria vendosi të shpërndajë gjoba për veturat me targa ilegale.

Qeveria më pas, me sugjerim të ndërkombëtarëve, hoqi dorë nga vendimi, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Ata tashmë si kusht për kthim kanë paraqitur lirimin e Pantiç, por edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Situata e tensionuar pritet të zgjidhet me një takim në Bruksel, në mes të dy delegacioneve, të Kosovës dhe Serbisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT