Athina i përgjigjet deklaratave të Turqisë: Kërcënimet e vazhdueshme për luftë në ishuj, të papranueshme!

Ministria e Punëve të Jashtme iu përgjigj sot deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë turke, të cilët sipas medieve greke, kërcënojnë me luftë nesë ishujt nuk çmilitarizohen. Athina zyrtare i ka quajtur të papranueshme kërcënimet e vazhdueshme për luftë në ishuj.
“Deklaratat e zyrtarëve turq për çmilitarizimin e ishujve të Egjeut janë hedhur poshtë vazhdimisht në tërësinë e tyre me një sërë argumentesh, të cilat gjenden edhe në letrat përkatëse që Greqia i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Vënia në pikëpyetje e sovranitetit të ishujve grekë dhe rritja e tensionit në Egje, përmes kërcënimeve për luftë, janë dënuar në tërësi nga Komuniteti Ndërkombëtar.
Greqia, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e detit, hedh poshtë edhe një herë në tërësi ankesat e njëanshme turke dhe i cilëson kërcënimet e përsëritura të luftës si krejtësisht të papranueshme”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ndërkohë më herët ministri i Punëve të Jashtme turke, Mevlut Çavushoglu, ka deklaruar se nëse Greqia nuk do paqe, Turqia do të bëjë gjithçka që është e nevojshme.
“Greqia të mos harrojë se kush mbjell erë, korr stuhi. Nëse nuk doni paqe, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme, papritmas një natë”, ka deklaruar ministri Çavushoglu.