Çfarë nuk ka thënë për Shqipërinë, RTK-ja e largon komentatorin Andin Lokaj në mes të Botërorit

Andin Lokaj mbrëmë ka dhënë lajmin se është larguar nga televizioni publik (RTK). Por si erdhi deri te ky largim?Me anë të një statusi në Facebook, ai njoftoi se po largohej nga RTK-ja duke lënë të nënkuptohej se ndeshja çerekfinale e Botërorit “Katar 2022” mes Portugalisë dhe Marokut ishte ndeshja e fundit që e kishte komentuar.
“Këto ishin emocionet e mia të fundit pas pesë vitesh në RTK. Më nuk do të jem pjesë e televizionit publik,” – kishte shkruar Lokaj.
“Paramendo mos me pasë fitu sonte kundër këtyre që kur kemi lujtë ne kosovarët TOP, ata në stadion veç ushtarë të tupit, trunin të Enverit i kanë pasë në tribuna,” – kishte shkruar ai.
E kishte pasur fjalën për Shqipërinë. Po luhej ndeshja mes Kosovës U-21 dhe Shqipërisë U-21, e të cilën e kishin fituar kosovarët me rezultat 2-1. Ai ishte shpallur i ‘padëshirueshëm’ edhe nga ana e tifogrupit kryeqytetas “Plisat”.
Pas reagimit të madh publik kishte pasuar nisja e procedurave disiplinore nga ana e menaxhmentit të kaluar të RTK-së.
Dhe, këto procedura disiplinore duket se nuk i ka pritur aspak mirë komentatori me përvojë megjithëse nuk ka një konfirmim zyrtar nëse kjo çështje është arsyeja për largimin e tij.