Ju ndalua vizita në Kosovë, Patriarku serb: Peja është për ne si Vatikani për Kishën Katolike

“Patriarkana e Pejës është për ne si Vatikani për Kishën Katolike. Imagjinoni që dikush pa asnjë arsye e ndaloi, me një shpjegim komik, Papën të hynte në Vatikan. E gjithë bota do të ishte ngritur.”

Kështu është shprehur Patriarku Porfiri i Serbisë, pasi dy ditë më parë raportohet se atij i është ndaluar të vizitojë Patriarkanën e Pejës për Krishtlindje. Në Serbi, pretendojnë se Patriarku nuk ka shkelur në Kosovë më 25 dhjetor sepse nuk është lejuar nga autoritetet shtetërore.

“Unë personalisht i kam kërkuar presidentit dhe gjithë qeverisë që të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen, në mënyrë që të mos vijë deri në konflikt të armatosur. Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe fuqive të mëdha, institucioneve të rëndësishme dhe qendrave të pushtetit, që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ruajtur paqen dhe që jetët njerëzore të mbeten interesi më i lartë”, është shprehur kreu i Kishës Ortodokse Serbe.

Në fjalën e tij, Patriarku Porfiri nuk kursen as termin serb “Metohi”, që i përket Rrafshit të Dukagjinit.

“Është e pamohueshme që ne mund ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin përmes përpjekjeve tona. Për shekuj me radhë, serbët dhe shqiptarët kanë jetuar së bashku në Kosovë dhe Metohi. Serbët në Kosovë dhe Metohi jetojnë 15 shekuj, bashkë me shqiptarët – 5 shekuj. Nëse ka vullnet të mirë, ne mund të gjejmë një mënyrë për të jetuar së bashku”, ka përfunduar patriarku.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT