Misteret dhe plani i vizitës në Minsk/ Putin evitoi hapësirën ajrore të Ukrainës, 2 avionë të ngjashëm u nisën në të njëjtën kohë për të bërë konfuz “kundërshtarët”

Presidenti Vladimir Putin ka zhvilluar sot udhëtimin e tij të parë zyrtar jashtë Rusisë që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Putin vizitoi Bjellorusinë, ku u takua me aleatin e tij të ngushtë, Aleksandër Lukashenkon. Mediat e huaja kanë publikuar versione të ndryshme të udhëtimit të tij.
Pavarësisht se autoritetet ruse njoftuan se Putin do të fluturonte nga Moska drejt Bjellorusisë, mediat shkruajnë se në të vërtetë, ai u nis nga St. Petersburgu për të evituar kalimin në hapësirën ajrore të Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, besohet se u nisën dhe 2 avionë të tjerë të të njëjtit model, kjo për të konfuzuar Ukrainën në rast se ata kishin planifikuar një sulm surprizë.
Ndërkohë, The Sun ka publikuar momentet e mbërritjes së Putin në aeroportin në Minsk. Siç shihet nga pamjet, Putin ka zbritur nga shkallët teksa duket i lëkundur. Në fund, ai kërcen nga shkallët për në tokë, një veprim që ka ngjallur dyshime tek mediat e huaja dhe opinionistët.
Presidenti rus u prit nga dy vajza të cilat i dhuruan një tufë me lule dhe një ëmbëlsirë. Më pas, ai u takua me homologun bjellorus, Aleksandër Lukashenkon.
Një prej truprojave të Putin, mbante në dorë një valixhe, që besohet se kishte një jelek antiplumb.
Gjithashtu raportohet se Putin u shoqërua me një eskortë ushtarake nga aeroporti drejt godinës ku zhvilloi takimin me Lukashenkon.