Në shtëpinë e Vis Martinajt kishte lëvizje/ Çfarë informacioni mori policia për “mbretin” e lojërave të fatit? Nga Vlora, në Fushë Kuqe…

Teksa fati i Ervis Martinajt mbetet ende mister, policia, RENEA dhe FNSH kanë bastisur në orët e para të mëngjesit të sotëm banesën e tij në Fushë Kuqe.

Deri më tani nuk dihen se çfarë ka gjetur policia në banesën e Martinajt, ndërtesë kjo e fortifikuar me mure të larta me hekura dhe me kamera sigurie. Mësohet se aksioni në Fushë Kuqe ka ardhur pas disa informacioneve se në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe ka lëvizje.

Duke qenë edhe dita e shënuar e Krishtlindjeve, mësohet se ka pasur informacion se Ervis Martinaj mund të shfaqej në zonë apo pranë familjes së tij pas 5 muajsh i shpallur si i zhdukur.

Megjithatë deri më tani nuk dihet nëse autoritetet kanë rënë në gjurmët e Ervis Martinajt pas aksionit të zhvilluar.

Kujtojmë se dy ditë më parë FNSH dhe RENEA zbarkuan në Vlorë ku u ngritën disa postblloqe, ku edhe për këtë aksion kishte informacion se mund të gjendeshin gjurmë të Ervis Martinajt.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Në harkun kohor të 5 muajve, policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete, ndërsa disa edhe janë zbuluar për mediat.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT