Persona të maskuar sulmojnë dy gazetarë, Shkodrane Dakaj: Ishin me dhjetëra…

Dy gazetarë të Kosovës janë sulmuar në Veri mëngjesin e sotëm rreth orës 06:57 nga persona të maskuar. Producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj, po udhëtonin me makinën e punës në drejtim të Mitrovicës së Veriut. Ata janë sulmuar nga grupi i personave të maskuar të cilët po qëndrojnë në udhëkryqin e kësaj lagjeje.
Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit. Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës. Ndërkohë tensionet dhe incidentet në veri vazhdojnë.
Ditën e sotme ishte në lidhje të drejtpërdrejtë gazetarja, Shkodrane Dakaj, e cila u shpreh se kanë shpëtuar pa lëndime dhe sulmi ka qenë drejt makinës së tyre me të cilën po udhëtonin.
“Në video vihet re që është një person i maskuar që qëndronte me të tjerë që u sul ndaj makinës që po lëviznim. Mjeti nuk ka logo. Por gjatë kohës që lëviznim kishim behxhin e punës, nuk e di sa e kanë vënë re nga xhamat e makinës, por kemi qenë të identifikuar”, tha ajo.
E pyetur se çfarë ndodhi dhe me çfarë goditi, Dakaj tha: “Ishin me dhjetëra persona të maskuar me të zeza. E goditi makinën me dorë. Kemi raportuar te policia për ngjarjen dhe po hetohet”.
Ndërsa e pyetur nëse ka qenë rastësore që ka pasur telefonin në dorë apo instinkt, Shkodrane tha:
“Kemi qenë në lagjen e boshnjakëve për të parë se si është gjendja. I pamë ata dhe bëmë foto e video. Kemi pamje, ishte puna jonë”.
Gazetarja shtoi më pas se një grup i punës së tyre ka qenë edhe gjatë natës në atë zonë dhe kishin parë persona të maskuar.