Rama: Shqipëria vuajti sulm të rëndë kibernetik, uroj të rindërtojmë urën e shkëputur me Iranin!

Kryeministri Edi Rama në mbrëmjen tradicionale të fundvitit me pëfaqësuesit e trupit diplomatik të huaj në vendin tonë, përmendi disa nga sfidat me të cilat u përball vendi ynë përgjatë këtij viti.
Ai u ndal tek sulmi kibernetik i Shqipërisë nga Republika e Iranit, duke theksuar se nuk ia doli të arrinte objektivin e tmerrshëm për të shkatërruar tërësisht infrastrukturën digjitale. Në fjalën e tij Ram shtoi se dëshiron që vendi ynë të fillojë të rindërtojë urën e shkëputur midis dy vendeve tona
Pjesë nga fjala e Ramës:
Por po kështu, nuk kemi asnjë dyshim se ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Serbinë, jo vetëm është gjëja e duhur për t’u bërë, por është diçka që i shërben pikërisht interesave tona si vend dhe si komb, e kjo promovon paqen në një rajon ku fantazmat e së shkuarës janë kahera gati që t’i shpallin luftë së ardhmes sonë të përbashkët.
2022 ishte vit i pabesueshëm edhe për shkak se na befasoi, për fat të keq, në një mënyrë të keqe, me një luftë që erdhi, jo vetëm pas një pandemie që ishte një fatkeqësi e përbashkët, por edhe pas një tërmeti që ishte mallkimi ynë i përveçëm. Ja që ishim me iluzionin se nuk mund të shihnim më keq, por “voila” 2022 me inflacionin dhe çmimet e çmendura të energjisë që trysnuan çdo familje dhe çdo biznes. Mendoj që kemi qenë rezistentë deri më tani dhe kemi siguruar të shmangim që faturat e energjisë për çdo familje shqiptare dhe biznes të vogël t’i shërbenin objektivit të Vladimir Putinit për t’i gjunjëzuar vendet në perëndim të Rusisë. Çmimet e energjisë mbeten të njëjta edhe për ambasadat e vendeve tuaja të pasura!
E pamundur të bëhej e njëjta gjë me inflacionin, por sërish e mbajtëm në nivelin më të ulët në rajonin tonë. Është e rëndësishme që kurrë të mos harrojmë se Ukraina nuk është qëllimi fundor i luftës së Putinit, po thjesht objektivi i dukshëm teksa qëllimi është të detyrojë bashkësinë euro-atlantike të ulet me të dhe të negociojë krejt arkitekturën e sigurisë së Europës. Deri më sot, ai nuk po fiton në Ukrainë dhe nuk po ia del në Europë, por do të ishte më së paku naive të besonim se 2023 do të jetë më i lehtë se 2022 në këtë drejtim. Në të kundërt, mund të jetë më i vështirë e madje edhe shumë më i vështirë. Si të mos mjaftonin të gjitha barrat e krizës shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe ekonomive tona, Shqipëria vuajti dhe një sulm të rëndë kibernetik nga Republika Islamike e Iranit.
Falë faktit se kishim një nivel të caktuar gatishmërie dhe falë, së pari dhe mbi të gjitha, miqve tanë amerikanë që erdhën e luftuan me ne në llogore për javë të tëra, sulmi nuk ia doli të arrinte objektivin e tmerrshëm për të shkatërruar tërësisht infrastrukturën tonë digjitale, për të fshirë të gjitha të dhënat tona digjitale.
Nuk më jep asnjë kënaqësi që të mos i uroja mirëseradhjen sot ambasadorit iranian. Ishte me ne vitin e kaluar kur patëm të njëjtin takim të fund vitit dhe ndërprerja e lidhjeve tona diplomatike me Iranin nuk ishte një vendim që e morëm lehtë. Irani është një komb i madh, me një kulturë të madhe dhe dua të përshëndes këtu sot, me admirim të plotë, kurajën që po i tregojnë botës vajzat dhe gratë iraniane duke luftuar për të kthyer në fytyrën e tyre dritën e diellit të marrë peng nga një epokë errësire.
Dëshiroj fort që më mirë shpejt sesa vonë, në një mënyrë apo në një tjetër, të fillojmë të rindërtojmë urën e shkëputur midis dy vendeve tona. Ndërkohë, nuk mund të mos i gëzohem faktit se urat tona me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Arabinë Saudite dhe Azerbajxhanin u forcuan shumë këtë vit dhe dua të falenderoj nga zemra udhëheqësit e këtyre vendeve, të cilët jo vetëm më kanë ofruar me bujari miqësinë e tyre të veçantë, por kanë manifestuar përveçse me fjalë edhe me vepra interesin e tyre të mirëfilltë për t’i sjellë marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë në një nivel tjetër.
Jam më shumë se besimplotë se Marina madhështore e Durrësit është vetëm hapi i parë konkret në një rrugë planesh të mëdha, ku po punojmë së bashku në fushën e energjisë, turizmit dhe tregtisë. Një tjetër ambasador ishte me ne vitin e kaluar, një mik i madh i këtij vendi që përfaqëson pikëmbërritjen tonë, Bashkimin Europian, miku ynë i mirë Luigi, i cili nuk mund të zëvendësohej sot nga pasardhësja e tij e përkushtuar, Christiane, për shkak të një pamundësie të përkohshme shëndetësore. I uroj shërim sa më të shpejtë, por ajo mund të pushojë dhe të mos shqetësohet, sepse shëndeti i raportit tonë me BE-në kurrë nuk ka qenë më mirë.
Të nderuar miq, nuk ka asgjë më të mire sesa të festosh miqësinë. Është vërtetë diçka që të ngroh zemrën të kuptosh se miqësitë e Shqipërisë janë rritur e janë bërë më të forta, por po kështu është po njësoj e vështirë që t’u japësh të gjithë miqve të pranishëm këtu, hapësirën e merituar në një fjalim festiv si ky. Shpresoj fort që ju jo vetëm nuk do të mërziteni që unë nuk po i rendis të gjithë vendet tuaja mike një e nga një, jo sepse nuk dua ta them se sa shumë e vlerësoj miqësinë tonë, por sepse nuk dua që t’ju zërë gjumi pa ngrënë! Kështu që më lini t’ju falenderoj të gjithëve për punën tuaj dhe t’ju uroj të gjithëve një 2023 të shkëlqyer, me më pak shqetësime dhe me më shumë kremtime si ky i tanishmi.Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja, vendet tuaja dhe pa asnjë dyshim edhe dashurinë tuaj për Shqipërinë.Gëzuar! Tashmë le të nisë ushqimi, pijet, muzika dhe vallëzimi!