Tensionet në Veri të Kosovës, Gjekmarkaj kërkon reagimin e Ramës: E pakuptueshme heshtja e Shqipërisë

Agron Gjekmarkaj ka reaguar për tensionet në Veri të Kosovës.
“Retorika luftënxitëse e autoriteteve serbe është e papranueshme. Kosova e pavarur dhe integriteti i saj territorial janë realitete të pakthyeshme. Dialogu dhe jo gjuha e forcës kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e Rajonit tonë.
Duke dënuar me forcë sulmet e strukturave paramilitare serbe në veri të Kosovës dhe provokimet e vjetëruara të autoriteteve më të larta serbe, apeloj për maturi nga ana e autoriteteve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe vendimmarrje nën koordinimin e ngushtë me partnerët tanë strategjik ShBA&BE.
Në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqupërisë nxis institucionet shqiptare të jenë në krah të autoriteteve kosovare. Heshtja e institucioneve të Republikës së Shqipërisë ndaj gjuhës luftënxitëse të Presidentit të Serbisë është e pakuptimtë. Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë krah Kosovës dhe institucioneve të saj”, shprehet ai.