VIDEO/ Deputetja që votoi gjykimin e UÇK-së në Speciale, sot është komandante e ushtrisë së Kosovës

Vjosa Osmani, aktualisht presidente e Kosovës dhe komandante e Përgjithshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ishte një nga deputetet më të zëshme për votimin e Gjykatës Speciale.

Gjykata që dënoi këtë të premte ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën, duhet të themelohet patjetër thoshte Osmani në vitin 2015.

“Kemi paralajmërime shumë serioze dhe deklarime edhe prej disa zyrtarëve shumë të lartë të Departamentit të Shtetit… të cilët kanë thënë qartë se nëse Rusia apo kushdo tjetër inicion një rezolutë për themelimin e një Gjykate Speciale, ShBA-të nuk do të përdorin veton”, sqaronte Osmani.

Ajo kishte sqaruar se Dhomat e Specializuara duhet të themelohen dhe si juriste shpjegonte se është shumë më mirë që këto Dhoma t’i themelojë vetë Kosova.

Në fjalimin prej 10 minutash të saj, Osmani ua bënte të qartë të gjithëve se ky është një vendim që ajo po e merr me vullnet të plotë dhe pa asnjë presion.

“Dua të sigurojë qytetarët e Kosovës që njësoj si çdo vendim tjetër që e kam marrë gjatë tërë mandatit si përfaqësuese e tyre, se edhe ky vendim i imi sot nuk është bërë dhe kurrë nuk do të ndodhë të bëhet nën presion e as në orientimin e askujt, por me bindje të plotë”.

Deputetja e LDK-së atëherë thoshte “se nëpërmjet këtij veprimi marrim përgjegjësi shtetërore dhe parandalojmë një të keqe shumë më të madhe që po i kanoset Kosovës”.

Në videon e Dr.Vjosa Osmanit, siç është e titulluar në kanalin e saj ne Youtube, elaboratet edhe më në detaje nevoja për të votuar pro themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Disa vite më vonë, Osmani do kryesonte listën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktualisht është politikanja më e votuar në Kosovë me mbi 200 mijë vota.

Duke marrë pozitën e presidentes, Osmani është edhe komandante e përgjithshme e FSK-së, trupë ushtarake e themeluar nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një pjesë e të cilëve po akuzohen në Hagë pikërisht për pjesëmarrjen e tyre në luftë.

Osmani akoma nuk është deklaruar për dënimin prej 26 vjetësh të ndarë nga Gjykata për Salih Mustafën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT