Zgjedhja e Dumanit, PD e Berishës: SPAK do përdoret për gjah ndaj opozitës

Partia Demokratike në një ditë të shënuar për SPAK, ku sot u zgjedh kreu i ri i kësaj strukture Altin Dumani, e ka sulmuar këtë institucion duke e cilësuar si një “bisht të diskredituar”.
Sipas PD-së së Sali Berishës, SPAK është i kapur dhe jo i pavarur.
Kjo PD në deklaratë thotë se SPAK po përdoret për gjah ndaj opozitës. Me gjuhën e Sali Berishës deklarata ka sulmuar edhe ambasadoren Yuri Kim.
Nga ana e saj, Kim, u ka njohur merita si qeverisë ashtu edhe opozitës lidhur me përkushtueshmërinë ndaj Reformës në Drejtësi.
DEKLARATA:
Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK u njollos që në nisje të saj dhe si i tillë është i pabesueshëm.
Përplasja për drejtuesin e SPAK mes Yuri Kim dhe Edi Ramës nuk është shenjë se drejtësia është e pavarur, por se ajo është kapur.
SPAK ka patur mjaftueshëm kohë për t’i dhënë prova publikut të kundërtën duke konsumuar mandatin e një drejtuesi.
Prej krijimit të saj SPAK ka patur në dorë dhjetëra skandale, të cilat ose janë hetuar nga bishti ose nuk janë prekur fare.
Një ‘pallat drejtësie’ në korridoret e të cilit shkon për të bërë ekskursione dhe për të dhënë direktiva kryeministri dhe një ambasadore që bën rolin e guvernatores, nuk është as i pavarur, as i lirë dhe as i ndarë nga pushteti ekzekutiv, siç e kërkon një demokraci normale dhe funksionale.
Me këto fakte të pakundërshtueshme, SPAK është thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste.
Kujtojmë se SPAK nisi punën para 2 vitesh duke shpallur moskompetencën për dosjet famkeqe të blerjes së votave nga qeveritarët e lidhur me krimin ato 184 dhe 339 të cilat më pas ia përcolli Prokurorisë së Dibrës.
SPAK nuk hetoi krimin zgjedhor, i cili ne 9 vitet e fundit ka përcaktuar strukturën e shtetit.
Me këtë akt SPAK dëshmoi se është vetëm një bisht i i diskretituar i qeverisë.
SPAK po përdoret në mënyrë antiligjore, anikushtetuese për gjah ndaj opozitës dhe shënon kapjen dhe dështimin e plotë të reformës sorosiane të drejtësisë në Shqipëri.