Enver Hoxhaj: Viti 2022 më i miri ndonjëherë për Shqipërinë diplomatike, falë Ramës!

Enver Hoxhaj vlerësoi rolin e kryeministrit Edi Rama në mënyrë të veçantë në politikën e jashtme. Ish-ministri Jashtëm në Kosovë, i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, tha se viti 2022 ka qenë viti më i mirë i Shqipërisë, në 30 vjetët e fundit.
“Ajo që Rama ka bërë në 10 vjetët e fundit, është që viti 2022 ka qenë pika më e lartë e politikës shqiptare në 30 vjetët e fundit. Ky qëndrim i imi mund të pranohet, ose jo, mund të cilësohet si një elozhe ndaj Ramës, por unë nuk jam avokat i tij, sepse ai di mirë se si ta mbrojë veten.
Samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Tiranë, ishte një certifikim e besueshmërisë i shtetit shqiptar në rajon. Kështu besoj se Tirana sot është një prej kryeqyteteve më të mëdha në politikën rajonale. Tirana është kryeqytet politik i Ballkanit. Unë mendoj që kjo është një gjë shumë e mirë për shqiptarët.
Që shteti shqiptar ka një mbështetje të mirëfilltë perëndimore, dhe që Rama ushtroi një politikë të jashtme me kohën dhe ka ditur të sillet në një kohë kur BE hoqi dorë nga politika e zgjerimit në Ballkan. Që prej rolit në Këshillin e Sigurimi, udhëheqjen e OSBE, mbajtja e Samiti, raportet personale me liderët europianë, nuk mendoj se dikush tjetër e ka bërë një gjë të tillë”, u shpreh Hoxhaj