Inteligjenca amerikane e alarmuar për grupin famëkeq “Wagner”, po rekruton mercenarë në Serbi

Zyrtarët e lartë amerikanë po ndjekin gjithnjë e më shumë lëvizjet dhe përpjekjet e grupit famëkeq “Wagner” për të përhapur ndikimin e tyre jashtë Ukrainës, muajt e fundit. Ky grup ushtarak privat po lufton për Rusinë dhe ka rritur ndikimin për të rekrutuar mercenarë.
Një ndër vendet ku vepron grupi “Wagner”, një ushtri private në pronësi të oligarkut rus Yevgeny Prigozhin, është dhe Serbia, shkruan media amerikane POLITICO. Në fillim të muajit dhjetor ata njoftuan hapjen e një qendre në Beograd.
“Grupi paraushtarak rus Wagner njoftoi më 7 dhjetor se ka ngritur një qendër kulturore dhe informacioni në kryeqytetin serb Beograd. Grupi është përshkruar si ushtria private e presidentit rus Vladimir Putin”, u raportua muajin e kaluar.
Që atëherë, Wagner ka nisur operacione ndikimi për të kundërshtuar “aktivitetin kundër regjimit të Putinit nga elementë të diasporës ruse”, thuhej në një nga kabllogramet e siguruar nga media amerikane.
Prania e grupit në Serbi vjen pasi tensionet vazhdojnë të rriten në kufirin e Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç — i cili nuk e njeh shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 — ka urdhëruar trupat të lëvizin në pozicione të gatshme luftarake dhe ka kërcënuar se do të kalojë në Kosovë për të mbrojtur popullin serb që jeton atje.
Zyrtarët amerikanë po planifikojnë veprime shtesë kundër Wagner për të kufizuar rolin e tij në Ukrainë. SHBA ka sanksionuar tashmë Prigozhin, Wagner dhe rrjetin e tij, por masa shtesë financiare ka të ngjarë të vijnë.
Ndërkohë, dje media ukrainase Kyiv Indipendent zbuloi dhe emrat e dy veteranëve serbë që po rekrutojnë mercenarë nga Ballkani për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Një figurë kyçe në procesin e rekrutimit është snajperi veteran mercenar serb, Deyan Berich, i cili luftoi për Rusinë kundër Ukrainës në vitin 2014. Një tjetër mercenar i rëndësishëm serb u identifikua si Zika Radoic, i cili aktualisht po lufton për Rusinë.