Kadastra nis inventarizimin e pronës shtetërore, Lame: Nga 260 mijë, vetëm 20 janë regjistruar! Spitaleve, shkollave dhe burgjeve po u dalin pronarët

Artan Lame, kreu i Kadastrës Shqiptare, ka njoftuar këtë të hënë një nismë të ndërmarrë muaj më parë nga institucioni që ai drejton, për inventarizimin e pronave të paluajtshme të institucioneve shtetërore, shkruan newsbomb.al.
Brenda Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, është krijuar një portal i brendshëm, veç atij për qytetarët, që mund të aksesohet vetëm nga institucionet shtetërore.
“Prej rreth 6 muajsh ne kemi punuar për një projekt të brendshëm të institucionit, për krijimin e regjistrit të pronës shtetërore. Ky regjistrim bën që askush tjetër, as gjykata, nuk mund të bëjë më veprime mbi këtë pronës sepse është e regjistruar”, u shpreh Lame, duke ilustruar me shembull konkret.

Më tej, kreu i Kadastrës Shqiptare tregoi se çdo vit ka 1-1.5 milionë kërkesa nga qytetarët për problematika që lidhen me pronat e tyre. Paralelisht me këtë proces, Kadastra ka nisur dhe inventarizimin e pronës shtetërore, për të mos lejuar më tej abuzimet.
“Çdo vit ne kemi rreth mbi 1 milion aplikime të qytetarëve për problematika të tyre. Kujtoj këtu se vitin e kaluar ishin 1.5 milionë aplikime. Tani po fokusohemi te regjistrimi i pronës shtetërore. Jemi koshient të gjithë se çfarë ka ndodhur këto vite, por s’dua të vë gisht në të kaluarën.
Rastet me abuzime janë të pafundme. Ky abuzim ka nisur pikërisht për shkak të mos-regjistrimit ndër vite të pronës shtetërore. Kryesisht është abuzuar me pronë shtetërore që kanë pasur shumë shtrirje në territor. Ministria e Mbrojtjes, që ka pasur me mijëra reparte, shumica të paregjistruara”, u shpreh ai.
Artan Lame tregoi dhe raste konkrete, kur nga mungesa e regjistrimit të pronës shtetërore, kanë dalë papritur pronarë. Nga 260 mijë prona shtetërore, tha ai, vetëm 20 mijë rezultojnë të regjistruara në Kadastër dhe për këto nuk mund të ndërhyhet me as me gjykatë.
Kreu i Kadastrës tregoi sesi për shkak të shpërndarjes së madhe të pronave që kanë në varësi disa institucione si Ministritë, për shkak të mos-regjistrimit, kanë dalë pronarët e oborreve të spitaleve apo të oborreve të shkollave. Një rast është ai i Burgut të Shënkollit në Lezhë, oborrit të të cilit i ka dalë pronari, kurse godina e burgut është e shtetit.
“E njëjta gjë ka ndodhur me Ministrinë e Shëndetësisë, me Ministrinë e Arsimit për shkak të rrjetit të shkollave. Jemi ndeshur me raste që oborrit të shkollës i ka dalë pronari, spitalit i ka dalë pronari, dhe shteti ka mbetur pasiv. Sjell dhe shembullin e Burgut të Shënkollit në Lezhë, që i ka dalë pronari oborrit, kurse vetë burgu është i shtetit.
Që nga viti 2020 kur nisi reforma, kemi arritur të identifikojmë 260 mijë prona shtetërore, në të gjithë territorin. Prej këtyre, 115 mijë u janë transferuar institucioneve shtetërore, dhe nga këto, vetëm 20 mijë rezultojnë të regjistruara në Kadastër. Ky i shpëton nga abuzimi i mëtejshëm”, tha ndër të tjera Artan Lame duke paralajmëruar publikimin e një VKM-je këtë të mërkurë.
“Të mërkurën do kalojë në qeveri një VKM shumë e rëndësishme, për përditësimin e pronave publike!”
Disa nga rastet e pronave shtetërore, me të cilat është abuzuar duke u dalë papritur pronari:
“Mjafton të kujtoj që kryesisht është abuzuar me pronën shtetërore që kanë qenë të hapur në territor. Ministria e mbrojtjes psh që ka pasur me mijëra reparte në territor, shumica e të cilave të paregjistruara. Gje që ka bërë që qoftë gjykatat qoftë komisionet e kthimit të pronës të veprojnë mbi to duke e kaluar në kthime pronash apo plackitje pa fund.
E njëjta ka ndodhur me Ministrinë e shëndetësisë, arsimit dhe gjithmonë ndeshemi në kronika ndër vite që oborri i shkollës i është kthyer pronarit, oborrit të spitalit i ka dalë pronari dhe shteti mbetej si jetim.
Raste, ishin përpjekjet e jashtëzakonshme të Ministrisë se Mbrojtjes për të shpëtuar ç’mund të shpëtonte nga baza e Shëngjinit, një bazë ushtarake e shtetit shqiptar që ishte plackitur ndër vite dhe vitet e fundit Ministria e Mbrojtjes e kishte të pamundur të shpëtonte një pjesë të madh të saj.
Apo burgu i Shën Kollit në Lezhë që i ka dalë pronari oborrit të burgut. Vetë burgu ka mbetur shtet. Apo një rast që kryeministri u detyrua të ndërhynte për të shpëtuar dhe mundësuar Teatrin e Kukullave te garda e republikës i cili me vendim gjykate i kishte kaluar te privati.
Apo te QSUT në Tiranë ku brenda saj ka pa fund prona të privatizuara të kthyera që për shkak të mosregjistrimit abuzohej. Duke qenë prona të paregjistruara, qoftë Kthimi i pronave qoftë gjykatat kërkonin formacion te ZRPP, kjo e fundit thoshte se këtu nuk kam gjë të regjistruar dhe këto komisione apo gjykata vepronin në terren duke thënë se aty s’kishte pronë të regjistruar dhe vazhdohej me privatizimin e tyre.”