Presidenti i Kroacisë, pro-rus! Krahason Kosovën me Krimenë, “shpërthen” kundër Perëndimit për mbështetjen ndaj Ukrainës

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç ka akuzuar shtetet perëndimore se po bëjnë “lojë” të dyfishtë përsa i përket njohjes së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë.
“Ne e kemi njohur Kosovën kundër vullnetit të shtetit (të Serbisë), të cilit i takon Kosova. Rusët, nëse janë cinikë do t’i referohen Kosovës….Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? Nuk është aneksim, është rrëmbim”, tha ai ndër të tjera.
Milanoviç gjithashtu ka shprehur se është kundër dërgimit të armëve luftarake në Ukrainë nga Perëndimi. Kujtojmw se në dhjetor ligjvënësit kroatë, refuzuan propozimin që shteti t’i bashkohet Bashkimit Evropian në mbështetje për ushtrinë ukrainase, duke vënë në pah ndarjet midis Millanoviqit dhe kryeministrit kroat, Andrej Pllenkoviç.
Mes të tjerash presidenti kroat, ka deklaruar se nuk dëshiron të ndikohet nga lufta për shkak se është anëtar i BE-së. Sipas tij tanket gjermane të dërguara në Ukrainë do të shërbejnë që Rusia të afrohet më shumë me Kinën.
Gjithashtu përsa i përket krahasimit të Kosovës me Krimenë ai u shpreh: “Është e qartë se Krimea nuk do të jetë kurrë më pjesë e Ukrainës”.
Ukraina është zotuar për të rimarrë territoret e Krimesë, të cilat i ka aneksuar Rusia që nga viti 2014. Putin ndërkohë ka kërkuar që Komuniteti Ndërkombëtar ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë, duke e krahasuar atë me Kosovën.
Ndërkohë krahasimet mes Kosovës dhe Krimesë, janë hedhur poshtë nga ekspertët ndërkombëtarë, dhe Qeveria në Prishtinë.
Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar.