Putin i vetëm në meshën e Krishtlindjes, kur armëpushimi me Ukrainën thyhet

Armëpushimi i pretenduar rus me Ukrainën përgjatë 72 orëve rreth kremtimit të Krishtlindjes është thyer dhe cilësuar që në hapin e parë si farsë, teksa kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, në meshën celebruese të festës fetare, është shfaqur i vetëm.

Është zhvilluar në një prej kishave në oborrin e Kremlinit në Moskë mesha për Krishtlindjen ortodokse dhe shprehia e Putinit, nuk ka qenë ndër më të lumturat e para ndonjëherë.

Vetë mediat ruse kanë qenë ato, të cilat i kanë shpërndarë pamjet e vetmuara të presidentit rus.

Nga ana tjetër, fushëbeteja në Ukrainë është aktive, ndryshe nga sa u pretenduar se do të kishte armëpushim.

Raketat e Moskës e goditën Ukrainën rregullisht, si në vigjilje të Krishtlindjes, si gjatë saj, si pas kremtimit.

Të dy palët, si forcat ruse, ashtu edhe ato ukrainase, e kanë akuzuar njëra-tjetrën për vijimin e goditjeve.

Fuqitë perëndimore kanë qenë të qarta që prej fillimit, duke mos e besuar skenarin e një armëpushimi potencial të shpallur unilateralisht nga Rusia.

Ndërsa, vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nuk kishte për çfarë të shpallej një armëpushim i tillë, i njëkahshëm, për sa kohë trupat ruse gjenden në territorin ukrainas dhe e kanë mësyrë atë.

I vetmi skenar për t’u ulur në një tryezë dialogu, siç ai vetë dhe liderët perëndimorë kanë përcaktuar, është ai i largimit të plotë të forcave ruse nga Ukraina fillimisht, duke përfshirë rajonin e Donbassit dhe rajonet e pushtuara në zonën jugore, në të cilat po zhvillohen edhe luftimet më të ashpra.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT