Si shpjegohet që po shtojnë çmimin dhe pakësojnë peshën e bukës, pa ua bërë “syri tërr”?

Nga Vlash Lacka
SA PESHON 1 KG BUKË – SA ËSHTË ÇMIMI I BUKËS ?!
Në rininë tonë për të testuar shpejtësinë e reagimit të ndonjë kolegu që arsyetonte më ngadalë, e provokonim : “thuaje shpejt – kush peshon më shumë: 1 kg hekur apo 1 kg pambuk?
Por sot po e modifikojë këtë duke pyetur Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit apo strukturat e Peshëmatjes dhe Standardeve: – Sa peshon një kilogram bukë?! Sa është çmimi i bukës?
Ndërsa Drejtorisë së Mbrojtjes së Konsumatorit i lutemi të na shuajë kuriozitetin: – Eshtë Drejtori e Mbrojtjes së Konsumatorit, apo Drejtori e Mbrojtjes nga Konsumatori?!
Ka tre-katër ditë që bukës së grurit dhe misrit, të çdo peshe, i kanë rritur çmimin me 100 lekë (10 lr) si pa të keq, të shoqëruar më “një buzëqeshje”. 100 lekë në ditë bëjnë 3000 lekë në muaj – aq sa iu rrit pensioni për indeksim.
M’u kujtua kur gazetarja në prag të vitit të ri pyeti një rritës gjelash deti në Baldushk : “Do i shesësh dot të 100 gjelat e detit që ke nxjerrë për shitje me këtë çmim të lartë?”; ai, me sytë që i ndritnin, iu përgjigj: “Zëre se i kam të shitur të gjithë, sepse këtë vit do të mi blejnë pensionistët që iu dha k/ministri nga 50 mijë lekë”.
Këtë me siguri e kanë mësuar nga tregtarët e bukës, të cilët edhe këtë radhë sapo morën vesh që kryeministri po iu jep vetëm për këtë muaj pensionistëve nga 80 mijë lekë ashtu dhe varfanjakëve, por çfarë do bëjnë këta muajt e tjerë kur të mos e kenë këtë shtesë!.
Si mund ta shpjegosh që “ditën me diell” shtojnë çmimin dhe të pakësojnë peshën e njësisë së bukës dhe pa iu bërë “syri tërr” kanë hequr nga raftet etiketat për peshën dhe çmimin e bukës sipas cilësisë së saj ?
Nuk e shpjegon dot se si mund të mbetet kjo jashtë kontrollit të shtetit, nga që një veprim i tillë është i penalizueshëm. Veçse po të mendosh se ata që janë marrë në punë për këtë qëllim përpiqen të nxjerrin të paktën paratë që kanë dhënë atyre që i kanë futur në punë, të cilët nuk i heqin dot nga puna ?!
Në majën e tavanit të shportës së produkteve të mbijetesës është buka, baza e bazave të jetesës së mbi 30 % të popullatës që Banka Qendrore e Shqipërisë thotë se është në kufirin e varfërisë.
Pak bukë me vaj dhe me pak kripë do të ngopte të paktën fëmijët e këtyre familjeve, që ka shoqëruar tradicionalisht varfërinë tek ne. Veprimi për të rritur çmimin e bukës dhe mungesa e kontrollit nga shteti, tejkalon çdo normë përgjegjësie e njerëzillëku, deri në nivelin e hajdutërisë.
Po e mbyll me nje pyetje: I ktheni dot çmimet e bukës sa ato që ishin para se kryeministri të miratonte pakon 80 (8)mije lekëshe?
—–
Botuar në DITA në rubrikën Letër Kryeredaktorit