Azganët mjeranë të opozitës dhe ethet n’bark të Albinit

Nga Baton Haxhiu
Ramboulliet ka pas vetëm një nënshkrim. Prandaj ka ndodhur bombardimi. Dy liderët, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç kanë besuar qe një Jo e re të vjen nga njeri prej tyre duke shpresuar qe gabimi do të sanksionohet dhe fituesi i kësaj negociate do ta ketë vetëm një nënshkrim. Si përfundim edhe një fitues. Por të dy liderët janë para një dileme të nënshkruajnë humbjen apo fitoren e humbur.
Ata nuk e duan dënimin prandaj nënshkrimi do të jetë bota e tyre e nënshtrimit, dhe jo dëshira e madhërishme për të qenë pjesë të historisë. Ky rast më ka vdekur. Do të nënshkruajnë atë që ndërkombëtarët duan. Nëse dëshirojnë të mos kenë fundin e pamëshirshëm të ndëshkimit. Ata do të jenë vetëm burokratë të një marrëveshje. Historia për ta, tashmë, kufizohet me frikën. Sepse situata nuk prodhon alternativë shpëtuese. Nënshkrimi mund ta dëmtojë seriozisht të ardhmen, refuzimi me siguri shkatërron edhe të kaluarën.
——–
Sot, më 10 shkurt, Albin Kurti shënon përvjetorin e protestës së dhunshme kundër projektit të Ahtisaar-it për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, ku u vranë dy të rinj shqiptarë në mes të sheshit të Prishtinës. Në fjalën e tij para turmës, Albin Kurti pat thënë decentralizimi ishte një kancer në trupin e Kosovës, i cili nuk con askund tjetër veç në autonominë e Serbisë brenda Kosovës e vetë Kosova nuk do të jetë më shumë se autonomi brenda Serbisë.
Ky parashikim, sikur secili tjetër prej tij, natyrisht, doli të jetë i pasaktë, sepse Kosova u bë e pavarur. Megjithatë, rrallëkush mund ta ketë paramenduar në atë botë se Albin Kurti do të bëhej mbështetësi më i madh i pavarësisë së Kosovës në cilësinë e Kryeministrit të saj.
Pasi e përndezi elektoratin e tij me premtim për bashkim të kombit, ai shkoi në Lezhë për t’iu thënë shqiptarëve se Ahtisaari nuk e lejon një gjë të tillë.
Po ashtu, tani pasi një plan shumëfish më të keq për vendin e quan ‘bazë të mirë’ për bisedime të mëtejme, u kërkoi gjithë ndërkombëtarëve ta marrin barrën e provës për ta arsyetuar pse Ahtisaari nuk qenka një platformë e mirë për ruajtjen e pakicës serbe në Kosovë. Sido që të jetë, ai duhet sot t’ia shpjegojë, duke i parë në sy, prindërve të Man Balajt e Arben Xheladinit, a i ka cuar në vend përpjekjet për gjetjen e vrasësve, siç premtonte duke gumëzhirë nëpër studio televizive.
Për më keq, ai u be një Kryeministër aq i përulur sa priti zyrtarë të UNMIK-ut në zyrën e tij, jo vetëm pa ua përmendur gjakun e derdhur kot të Man Balajt e Arben Xheladinit një copë kohë para se ky vend ta sheh pavarësinë e ëndërruar prej shekujsh, por edhe duke ia shtuar rëndësinë një misioni të mbaruar duke e pritur në rrafshin më të lartë institucional.
Një sfidë të ngjashme do ta ketë për pak kohë, kur duhet t’i shpjegojë Avni e Xhemile Deharit, pse po nënshkruan një marrëveshje me njohje të tërthortë, pa u ndryshuar Kushtetuta e Serbisë, e cila përcakton qartë se Kosova është pjesë e Serbisë.
Fundja, ai më nuk përfaqëson asgjë nga djaloshi me flokë të shprishura që epej pas pasioneve revolucionare në sheshin e qëndresës, por djaloshi qe shfaqet si maneken me stilistin e tij personal, te cilit ia punëson gruan ne Ministrinë e Drejtësisë.
Në seancën e fundit teksa përgjigjej lidhur me planin franko-gjerman, Albin Kurti edhe njëherë ua kujtoi deputeteve se marrëveshja e asociacionit është nënshkruar nga Thaci e Mustafa. Me fjalë të tjera, kur të vije puna për zbatim në praktikë të asociacionit, ai nuk duhet pare si vullnet personal i Albin Kurtit, por një detyrim i trashëguar nga koha e autokratëve të korruptuar.
Meqë me siguri do t’i takoj sot, Albin Kurti bën fort mire t’ua shpjegojë familjarëve të Mon Balajt e Arben Xheladinit, pse një grumbull qeverish para tij nuk e zbatuan këtë marrëveshje dhe, për më shumë, pse një marrëveshje që parashihej në 2013 t’i mundësonte Kosovës ulsën në OKB, ai sot e e pranon pa ‘njohjen e ndërsjelltë’?
Mos të harrojmë, kur Albin Kurti e detyron Glauk Konjufcën të dalë nëpër intervista për të shpjeguar se pika 2 e planit franko-gjerman është realisht njohje, dihet se ai është veçse duke përgatitur terrenin për zbatim te tij. Pika dy, mes tjerash, nuk e përmend vetëm ‘pavarësinë’, por edhe ‘autonominë’, pikërisht, sepse ajo është qëndisur për të shërbyer si lojë retorike për të kënaqur opinionin publik të dy palëve.
Jo, njohje nuk është: Serbia as nuk do ta largoj Kosovën nga Kushtetuta, as nuk do t’i dërgojë asaj notë verbale për t’i konfirmuar njohjen e shtetësisë. Albin Kurti do ta bëjë këtë kompromis për të qëndruar në pushtet, mirëpo përfundimisht trashëgimia historike e partisë së tij do të marre fund.
Problemi në Kosovë megjithatë sot më nuk është Albin Kurti. Paaftësia e tij për të qeverisur sot është përtej çdo dyshimi. Prandaj, ai është i angazhuar në kapje te institucioneve kryesore, siç bëri me BQK-në e RTK-në, sepse votën të cilën e ka korrur duke e ushqyer me mashtrim, duhet ta ruaj duke e shtënë në dorë sistemin e gatshëm klientelist.
Në rrethana të një qeverie më të dobët se ajo e Bajram Kosumit për nga cilësia e punëve, Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku janë bërë bashkë për t’i shërbyer atij në emër të kombit.
Ramush Haradinaj edhe njëherë doli në publik me qëndrimin se ai nuk i bën opozitë Qeverisë kur janë në pyetje interesat kombëtare. Ramush Haradinaj megjithatë duket se harron se tashmë shqiptarët e kanë fort të qartë se ai lakminë e tij të papërmbajtshme zakonisht e mbështjellë me retorikë patriotike. Në fakt, ai ka qëndruar prej kohesh i përulur dhe kokulur para Albin Kurtit. E mbani në mend kur bënte sikur i fortë, burrë kanuni, se po e kërcënon hapur Albin Kurtin që të mos luajë me veteranë? Albin Kurti luajti me veteran dhe Ramush Haradinaj nuk beri asgjë. E mbani ne mend kur bënte sikur burrë i vendosur se nëse Albin Kurti nuk ndalet, do ta ndalim, ne? Asgjë, fare.
Albin Kurti e talli e ofendoi dhe nga Ramush Haradinaj mbeti vetëm pamja e tij duke i rene filikaqës në Parlamentin e Kosovës me urdhër të Albin Kurtit.
Kur ai sot del neper studio televizive për të thënë se qëndrimet e tyre kanë kosto elektorale, por janë kombëtarisht të drejta, e maskon vetëm një fakt. Ramush Haradinaj dhe AAK e kanë mendjen vetëm te një pune: marrjen e ndonjë ministrie a pozite politike, mundësisht Presidentin e vendit, në marrëveshje me Albin Kurtin, në këmbim të mbështetjes për planin franko-gjerman.
Po ashtu, është edhe shprehje e gatishmërisë së tij para një pjese të faktorit ndërkombëtar për t’iu treguar se po qe se duan ‘partnerë alternativë’, ai do të jetë në krye të zbatimit të detyrës.
Pasi ka abuzuar aq paturpësisht me çështjen e demarkacionit e taksës 100%, Ramush Haradinaj nuk gëzon asnjë të drejte morale për të aktruar si njeri konstruktiv që tani i shërbeka Albin Kurtit edhe nga opozita. Nuk është për t’u çuditur fort me këso kapërcime nga njeriu qe pasi bëri luftë speciale kundër Qeverisë së Shqipërisë, shkoi e iu mori dorën politike edhe njëherë Kryeministrit të Shqipërisë, gjoja se ai është vëllai i tërë shqiptarisë.
Haradinaj, që dukej i përhumbur dhe paqëllim në politik pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, e kishte rastin e artë që të ringritet dhe AAK-ja të jetë e vetmja parti politike aktuale që ta ketë vazhdimësinë ne të paktën për një çështje, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, por e shpërdoroi për pak shpresë në pushtet.
Kur kundërshtonte “Zajedincën” bashkë me Demarkacionin, përkundër bllokimeve konkrete siç ishte liberalizimi i vizave, lajmeve të përditshme në mediat ndërkombëtare për demokracinë e re në prag të dështimit, Haradinaj besonte se po mbron Kosovën nga “copëtimi”. E njëjta çështje, nga i njëjti pozicion, me të njëjtin risk, Haradinaj deklarohet tani ndryshe.
Për çka ia vlente të rrezikohej e ardhmja e një shteti dikur, bash për të njëjtën çështje nuk ia vlen sot sipas Haradinajt?
Një marrëveshje që nuk e ka negociuar ai vetë, e mbron më shumë se negociuesi. Derisa Kurti i ka dyshimet e veta për të vënë firmën në dokumentin e prodhuar nga bisedat e tij me Vuçiç-in, Haradinaj këmbëngulë që të nënshkruhet.
S’ka as një muaj nga hera e fundit kur kryetari i AAK-së lëshonte dyshimet e tij se Kurti mund të jetë bashkëpunëtor i Serbisë dhe hidhte pikëpyetje se për kë punon ky njeri, tani dëshiron ta përkrahë më shumë se ai veten, pa e pasur asnjë detyrim, por duke dalur kundër qëndrimeve paraprake.
Çfarë iu thotë Haradinaj të gjithë atyre të rinjve që organizoheshin me autobusë nga Dukagjini për t’u ballafaquar me policinë e Kosovës në Prishtinë “në mbrojtje të Republikës”.
Duke ndryshuar qëndrim pa asnjë detyrim, ai nxjerr në pah edhe të vërtetën e qëndrimit të parë. S’ishte asnjëherë për Kosovën, ishte për vetën e tij.
Memli Krasniqi erdhi në krye të PDK-së duke e marrë mbështetjen nga një strukturë e tërë si ‘fighter’, një luftëtar i pakursyer politik. Përndryshe, nuk ka asnjë arsye objektive pse ai duhej ta zëvendësonte Enver Hoxhajn, edhe pse kisha thënë publikisht në një televizion se Partia Demokratike as nuk e kupton dhe as që e do në një situatë çfarë ndodhej, pas burgosjes se dy liderëve te saj, një njeri si Enver Hoxhaj. Por dihet – dhe botërisht dihet fare mirë – se Enver Hoxhaj mund t’i mbajë ligjërata Memli Krasniqit për çdo teme të mundshme, përveç kriptovalutave dhe botës së kafeneve.
Memli Krasniqit iu dha përgjegjësia e rrallë për të qëndruar në krye të PDK-së pas dy figurave historike si Hashim Thaçi e Kadri Veseli dhe ai këtë besim e shpërdoroi jo vetëm duke mos e prishur gjumin deri në gjysmë të ditës kur Kosova është bërë lëmsh nga plani franko-gjerman, por edhe duke i poshtëruar strukturat partiake me përzgjedhjen e një Kabineti të Qeverisjes së Mirë të cilit nuk i ndihet zëri.
Nëse ai është i frikësuar që të bëhet udhëheqës nga kërcënimet e Faton Pecit në publik, ai bën mirë të largohet sa më parë nga një detyrë e cila kërkon vendimmarrje të fortë, përgjigje të prera dhe qasje proaktive.
Edhe pse, për të mos i hyrë në hak, paraqitja e fundit parlamentare ishte përtej nivelit të tij të treguar deri më tani. Në këtë seancë luajti më në fund rolin e opozitarit.
Ofroj qëndrimin e tij, pra mos-pranim të planit franko-gjerman pa njohje në qendër dhe i ofroi gjithashtu mbështetje qeverisë për refuzimin e këtij plani nëse s’e ka njohjen. E vërteta është se Kurti i kërkoi atij që të flet me Eskobarin me këtë gjuhë, duke aluduar se bisedat e kryetarit janë krejtësisht ndryshe nga këto qe i flet publikisht.
Memli , shkoj dhe më larg, i ofroi mundësinë e zhbërjes së Marrëveshjes së vitit 2013 nëse ajo është pengesa e Kurtit për ballafaqim me Serbinë, apo arritje të një marrëveshje më të favorshme.
Por, Memli ka treguar qartë shprehin e punës si opozitar duke harruar se opozita s’është njëditore dhe as ardhja në pushtet lidhje e shkurtër që mundësohet nga një qëndrim më i qartë në parlament.
Prandaj, Memli duket se ka bërë llogari. Ai e kursen Albin Kurtin shpesh në rrafsh të ballafaqimeve politike, ndërkohë që e ndanë pushtetin me të në dy komuna shumë të rëndësishme në Kosovë, Gjilan e Podujevë.
Duke krijuar ura bashkëpunimi në nivel komunal, ai shpreson se nesër mund ta ndajë pushtetin me Albin Kurtin në nivel qendror, nëse ky i fundit do ta ketë mirësinë e mjaftueshme për t’i marrë në qeveri. Ne fakt, ai shpreson se me një marrëveshje për qeverisje me Albin Kurtin, edhe mund ta zëvendësoj Vjosa Osmanin për Presidente, kur kësaj pune i vjen koha sipas afatit kushtetues. Më fjalë të tjera, heshtja e tij në shumicën e rasteve është e mbushur përplot llogari personale në masën sa shqetësimi për marrëveshjen pa njohje është i rëndësisë fundore.
Lumir Abdixhiku i ka bërë llogaritë ngjashëm si Memli, por ai ka ëndrra më të mëdha për veten. Kjo në një mënyrë është edhe e kuptueshme. Për nga formimi personal e rrugëtimi jetësor, Lumir Abdixhiku është fenomen për Memli Krasniqin. Mirëpo, Lumir Abdixhiku nuk përbën asnjë alternativë ndaj Albin Kurtit. Ai është përfitues i rastësishëm i një tronditje të thellë elektorale e psikologjike brenda LDK-së. Këtë moment në ngritjen e tij ai e ka keqkuptuar thellësisht duke e parë si pasqyrë të një konsiderate të madhe të popullit të Kosovës ndaj tij.
Ai tashmë ka filluar të sillet si Kryeministër me idenë se po që se nuk zbaton Albin Kurti planin franko-gjerman, pikërisht, ai, do te jetë adresa e pashmangshme.
Po që se vendi shkon në zgjedhje, ai do ta ketë në dorë formimin e Qeverisë, sepse Albin Kurti më nuk i merr 50+1%. Rrjedhimisht, më e rëndësishme është se si Lumir Abdixhikut do t’i shërbejnë proceset historike, sesa si do të pozicionohet ai në këto procese.
Meqë Albin Kurti i kupton fare mirë lakmitë e tyre të pafund dhe dobësitë e personaliteteve te tyre, ai i nënshtron edhe fare lehte. Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku tashmë janë shërbëtorë të dorëzuar të Albin Kurtit, pavarësisht se ua kërkon detyra ta luajnë një rol tjetër kohë pas kohe. Prandaj, debati për planin franko-gjerman nuk merr përgjigje të qarta, sepse Albin Kurti nuk ka vendosur ende se cilin do ta shfrytëzojë, kësaj radhe për interesat e tij. Sepse këta tashme i janë vetëofruar për t’i shërbyer në këmbim të gjerave të vogla.
Prandaj edhe tallet dhe krijon situata komike sikur kjo e fundit në parlamentin e Kosovës, kur herë u thoshte përse nuk më kundërshtoni që ta forcojë pozicionin në negociata e herë të tjera përse nuk krijoni unitet për çështje të rëndësishme.
Në përpjekje për t’i rënë tamam, opozita në vend se të jetë e ndarë me pushtetin, u nda mes vete. Ramush Haradinaj po i thotë nënshkruaje marrëveshjen sa më parë se është e mirë. Kurti ia kthen me ‘kujdes se nuk është edhe aq e mirë’. Memli e Lumiri po i thonë mos e nënshkruajë meqë nuk e ka njohjen. Këtyre po u thotë se më e mirë nuk bëhet edhe këtë ua tregon edhe Escobar-i.
Kjo tallje e Kurtit është e dhimbshme, sepse nuk vjen as nga ndonjë pozicion i fuqisë dhe as autoritetit moral. Ai është në një moment delikat të ballafaqimit me realitetin e karakterit të tij fluid.
Opozita obligon veç në kritikë dhe jo në punë, prandaj tash Kurti ka kuptuar që ai ka pasur mendime për çështje, por jo qëndrime për to. Njeriu që nënshkrimin e fundit e ka dhënë kur ka vënë kurorë me gruan e tij, e ka të pamundur ta shtrëngojë vetën në një pozicion të qartë shtetëror dhe të lidershipit të VV-së.
I mësuar të kërkojë gjithmonë fajtor dhe jo zgjidhje, s’po e kupton si u shndërrua në personin që do të nënshkruajë një zgjidhje fajtore.
Sot, më 10 shkurt, le ta thotë hapur Albin Kurti se kur dhe me kë planifikon t’i vë vulë fjalës së tij të famshme që fillon me “Z” të madhe.