Daniel Smith: Vuçiç po përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin! Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj

“Aktivitetet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit janë intensifikuar, gjë që ilustrohet më së miri nga prania e mercenarëve rus ‘Wagner’s’ dhe ‘Ujqërit e Natës’ në barrikadat që strukturat e Serbisë kishin ngritur me urdhër të Aleksandër Vuçiç-it në veri të Kosovës”.
Kështu tha njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë, Daniel Smith, i cili në një intervistë për gazetën opozitare serbe Danas, theksoi se nuk është sekret që Vuçiç e përdorë çështjen e Kosovës për të shpëtuar veten nga problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Serbisë.
“Vuçiçi dhe elitat politike në Serbi nuk u shkëputën nga mentaliteti i (Slobodan) Millosheviç-it, ata kontaminuan opinionin publik në Serbi me tema të nacionalizmit, urrejtjes për të tjerët dhe kundër vlerave perëndimore”, tha ai.
Në këtë kontekst, ai nënvizoi se arritja e një marrëveshjeje eventuale me Kosovën në bazë të propozimit franko-gjerman dhe në frymën e kompromisit do të jetë e vështirë pikërisht për shkak të strategjisë tashmë të njohur të Vuçiç-it “përshkallëzim pastaj depërshkallëzim”.
“Ai përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja. Derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, ai do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin”, shtoi Smith.
Duke komentuar insistimin dhe presionin e Perëndimit ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, eksperti britanik potencoi se ajo që perëndimorët duhet të ketë parasysh është se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj dhe karakterin multietnik të shtetit.
“Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Srpska janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për të destabilizuar Ballkanin”.
Smith përfundoi duke thënë se Kosova është një rast unik në Evropë, madje edhe në botë, sa i përket mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të pakicave, por Vuçiç është i interesuar të përdorë serbët e Kosovës si skllevër të tij personal, për të forcuar nacionalizmin dhe për të qëndruar më gjatë në pushtet.