Meta komenton deklaratat e Ahmetajt: Nuk ka gënjyer! Rama vjedh dhe fut shokët një nga një në burg

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me strukturat e partisë në  Laknas, Bashkinë Kamëz. Në fjalën e tij, Meta u shpreh se korrupsioni në vend është përshkallëzuar.

Mes të tjerash ai komentoi edhe deklaratat e djeshme të ish-ministrit Arben Ahmetaj, ku tha se nuk ka gënjyer kur ka thënë se “nuk kishte fuqi për të vënë në lëvizje qeverinë”, ndërsa theksoi se përgjegjësi kryesor për korrupsionin është kryeministri Rama.

“Korrupsioni është përshkallëzuar. Si tha dje ish ministri Arben Ahmetaj, tha “nuk isha unë kaq i fuqishëm sa të vija në lëvizje qeverinë, për punën e inceneratorëve”. Normale, ai nuk ka gënjyer. Ai ka përgjegjësitë e veta si ministër, por si mund të futen 17 vendime të paligjshme në një ditë, të cilat me procedura normale do të kërkonin 6 muaj.

Vetëm me urdhër të Ramës, që të vjedhë Edi Rama qytetarët e Tiranës, por edhe të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por të fusë edhe shokët e tij një nga një në burg, sic i ka futur. Njëherë Lefterin, njëherë Saimirn…vetëm që të shtyjë ditët e veta dhe agonitë e veta sepse është i pashpresë” tha Ilir Meta.

Meta tha më tej se Rama është armik i shqiptarëve: “Ky armik i interesit kombëtar, ky avokat i Vuçiçit, që kudo që vete dhe në vend të mbajë krahun e Kosovës, ky i kërkon botës mos i bëni presion Vuçiçit për sanksionet e Rusisë”, u shpreh Meta.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT