Meta: Nesër do të jemi në shesh për të kërkuar llogari, populli ka vendosur që Rama të largohet një orë e më parë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa pohoi se nesër në shesh do jetë populli i Shqipërisë. Meta në një deklaratë për mediat theksoi se nesër do të flasë populli dhe të gjithë duhet t’i binden atij.
“Jam i bindur se populli i Shqipërisë do jetë nesër në shesh për të kërkuar llogari. Edi Rama më mirë se kushdo tjetër e ka të qartë se llogaridhënies nuk i shmanget dot se populli s’do lejojë askënd të luajë më me fatet e tij.
Shmangia e llogaridhënies e transparencës me shpresën e mjerë se do shpetoje, iluzion i një të mbyturi që kapet pas fijes së barit. Populli është ai që jep pushtet por edhe ia heq atij që e përdor për të grabitur paratë e popullit dhe interesat kombëtare.
Populli jam i bindur se e ka marë vendimin, s’mund të lejojë kurrë që Rama të vijojë të trajtojë zyrën e kryeministrit si cerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë e shqiptarëve, për korrupsion politik, financar pa fre.
Populli ka vendosur që Edi Rama të largohet një orë e më parë si një mafioz i provuar dhe me fakte dhe i korruptuar që s’ka asnjë lidhje mje postin e kryeministrit.
Rama është tashmë një subjekt i merituar për drejtësinë për veprimet e tij shumë të rënda kundër kushtetutës, grabitjen financiare me miliarda euro, i provuar me fakte si korruptuesi i McGonigal, grabitjes me inceratorët, shkatërruesi i teatrit e koka e qindra aferave. Nesër populli flet e të gjithë duhet të dëgjojnë e t’i binden vullnetit të tij”, tha Meta.