Tre akuza të rënda për Alda Klosin, Policia e Tiranës njoftim zyrtar për arrestimin e ish-drejtoreshës së Koncesioneve

Alda Klosi, ish-zyrtarja e lartë e shtetit shqiptar, është arrestuar mbrëmjen e djeshme dhe akuzohet për tre vepra të rënda penale që kanë lidhje me vjedhjen e një shume të madhe parash në shtëpinë e saj nga pastruesja.
Paraditen e kësaj të shtune, Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar dhe bën me dije se Alda Klosi (ÇIKO) akuzohet për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Prangosja e saj është kryer nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës. Më poshtë, njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës:
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaluan shtetasen A. K. (Ç)., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.