Breshëri me raketa mbi Ukrainë, Rusia nuk e mohon: Kemi nisur “sulmin masiv të hakmarrjes”

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të enjten se breshëria e sulmeve raketore të nisura në Ukrainë gjatë natës ishte hakmarrje për ato që ministria i quajti “veprime terroriste” të organizuara nga Kievi në rajonin Bryansk të Rusisë javën e kaluar.
“Armë me precizion të lartë ajrore, detare dhe tokësore, duke përfshirë sistemin e raketave hipersonike Kinzhal, goditën elementët kryesorë të infrastrukturës ushtarake të Ukrainës, ndërmarrjet komplekse ushtarako-industriale, si dhe objektet energjetike që u shërbejnë atyre”, thuhet në deklaratë.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se objektivi ishte arritur dhe “të gjitha objektet e caktuara janë goditur”.
“U shkatërruan mjete ajrore pa pilot, u ndërpre transferimi i rezervave dhe transporti hekurudhor i armëve të huaja, si dhe u çaktivizuan objektet e prodhimit për riparimin e pajisjeve ushtarake dhe prodhimin e municioneve”, vijon deklarata.
Autoritetet ukrainase thanë se Rusia gjuajti 81 raketa në rajone të shumta të Ukrainës , duke përfshirë kryeqytetin e vendit gjatë natës së të enjtes. Të paktën 11 persona u vranë në të gjithë Ukrainën, sipas autoriteteve rajonale.
Ja çfarë ndodhi në Bryansk: Zyrtarët rusë të sigurisë pretenduan se një grup i vogël i armatosur ukrainas kishte kaluar kufirin rus javën e kaluar në rajonin jugor të Bryansk. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha se agjencia po kryente operacione pas “nacionalistëve të armatosur ukrainas që shkelën kufirin shtetëror”. Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi incidentin si një “sulm terrorist”. Një zyrtar lokal tha se dy civilë u vranë.
Një këshilltar në zyrën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak, tha se bastisja e supozuar ishte ose një provokim rus ose vepër e partizanëve vendas që mbanin qëndrim kundër Kremlinit, duke mohuar çdo përfshirje ukrainase.