Çudira në mes të Tiranës, administratori i vë traun rrugës publike dhe u kërkon nga 120 euro banorëve, nuk pyet as për Policinë (PAMJET)

Në redaksinë e Newsbomb.al ka mbërritur një denoncim nga banorët e një kompleksi banimi pranë Ambasadës Amerikane, në Rrugën “Jan Kukuzeli”. Ata pretendojnë se administratori i një prej pallateve i ka vendosur traun rrugës publike dhe u kërkon para.

Këto pretendime, ata i faktojnë me pamje që i kanë dërguar në adresën e redaksisë tonë. Personi në fjalë, u ka kërkuar banorëve fillimisht nga 70 euro, por më pas e ka rritur shifrën në 120 euro.

Rezidentët janë ankuar në Komisariatin nr.1 dhe në Policinë Bashkiake. Madje, në dy raste trau është hequr nga autoritetet, por personi përgjegjës nuk është shoqëruar. Kjo e ka inkurajuar që në të dyja rastet ta vendosë përsëri traun.

Arsyeja është shumë banale. Administratori është shqetësuar nga furnitorët e bizneseve të ndryshme që ndalojnë në këtë rrugë dhe ka vendosur t’i vërë traun, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve të jo-rezidentëve.

Mirëpo, banorët nuk pranojnë që të paguajnë këtë shumë prej 120 eurosh, secili, duke thënë se rruga është publike dhe nuk kanë përse bëjnë pagesa të tjera. Në kushtet kur nga autoritetet nuk janë marra, ata i janë drejtuar redaksisë së Newsbomb.al, me shpresën se rasti do të merret seriozisht nga Policia, ajo e Shtetit dhe Bashkiake.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT