David Kostelancik, ambasadori i ri amerikan që do “drejtojë” Shqipërinë

Nga Roland Qafoku
E trazuar me lajme gjithëfarësoj, skandale, protesta dhe zgjedhje, politika në Shqipëri është më shumë se kurrë me sy e vesh nga SHBA.
Në shtator, diplomati David Kostelancik do nisë nga puna në Tiranë si shefi i 23-të i ambasadës amerikane në Shqipëri në historinë 101-vjeçare të marrëdhënieve diplomatike. Me shumë gjasë, në qershor ai do marrë konfirmin në Komisionin e Jashtëm në Senat dhe në ditët e para të sezonit të ri politik do ulet në zyrën e shefit të ambasadës në rrugën e Elbasanit.
Mbërritja dhe nisja nga puna e Kostelancik ka një domethënie të madhe për të ardhmen e Shqipërisë politike. Vendimi “non grata” ndaj Sali Berishës, skandali “McGonigal”, ndikimet e luftës në Ukrainë, financimi nga Rusia i PDsë me skandalin Nick Muzin, favorizmet e një kompanie ruse për të investuar në Shqipëri në fushën e naftës dhe gazit, rritja e interesit rus për turizëm në bregdetin tonë, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, janë një tufë problemesh për të cilat SHBA duket se ka zgjedhur për t’i menaxhuar njeriun e duhur në kohën e duhur.
Diplomati me më shumë se tri dekada karrierë, do shërbejë si letër lakmuesi se si do jenë marrëdhëniet e tij me qeverinë dhe opozitën. Si do jenë raportet e tij me mazhorancën, specifikisht me kryeministrin Edi Rama dhe me opozitën, specifikisht me dy kryetarët e saj që vijojnë betejën për vulën Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj, ashtu do jetë edhe e ardhmja e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Iku nga tirana 29 vjeç dhe kthehet pas 29 vjetësh. Përsëri në “luftë” me Berishën
Ka një koicidencë numrash në ritkhimin e David Kostelancik në ambasadën amerikane në Tiranë. Ka qenë atashe politik në këtë ambasadë nga viti 1992 deri në 1994 dhe u largua nga kjo detyrë kur ishte 29 vjeç. Tashmë pritet të kthehet në Tiranë, fiks pas 29 vjetësh. Por në detyrën e lartë të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë me maturinë dhe eksperiencën e mjaftueshme. Ai është njëkohësisht i pari diplomat amerikan që vjen për herë të dytë në ambasadë.