DEA amerikane me zyrë në Tiranë? Ministri Çuçi: Është vetëm një agjent, lëvizje e koordinuar me Policinë dhe SPAK

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, është shprehur në Kuvend se DEA amerikane nuk ka një zyrë në Tiranë, por njoftimi i Ambasadës së SHBA ditë më parë, ka të bëjë me praninë permanente të një agjenti të kësaj agjencie ligjzbatuese.
Sipas ministrit, prezenca e përhershme e një agjenti të DEA-s në Tiranë nuk është për t’u shqetësuar, por shenjë e një niveli të lartë bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane. Madje, Çuçi tha se ky agjent ka zyrën e tij në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
“Në lidhje me atë që e quajnë Zyrë të DEA-s në Shqipëri, e para ajo nuk është Zyrë, por është një person që DEA e ka caktuar që të jetë permanent në Tiranë. Deri më sot ne bashkëpunonim me DEA-n përmes zyrës që ajo ka në Athinë.
Si rezultat i intensifikimit të bashkëpunimit që kemi pasur sidomos dy vitet e fundit me këtë zyrë dhe si nevojë për të qenë përditë në një nivel bashkëpunimi të sinkronizuar me agjencitë ligjzbatuese shqiptare, Policia dhe SPAK, ranë dakord që të kishte një person që të ishte permanent rezident në Shqipëri”, u shpreh Bledi Çuçi, ministër i Brendshëm i Shqipërisë.