“Narkomani i Bulqizës u kap për tenderin 2 mln euro”, Berisha “zbulon skenarin” e Lefter Allës: Donte të rikandidonte prandaj e arrestuan

Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar  ditën e sotme kandidatin e tij në Lushnjë për zgjedhjet e 14 Majit, , Eduar Sharka.

Gjatë fjalës së tij ish-kryeministri u ndal edhe te arrestimi i kryebashkiakut të Bulqizës ditën e sotme, Lefter Alla, i cili u kap nga SPAK pas pas abuzimit me një tender rreth 2 milionë euro.

Ai e cilësoi Allën si “narkomanin e Bulqizës”, teksa shtoi më tej se ai u arrestua pasi donte që të kandidonte sërish.

“Arrestuan për një tender 2 milion euro narkomanin e Bulqizës, e arrestuan se nuk pranoi të largohej, donte të kandidonte patjetër dhe ia mbanin dosjen. Ja ku e keni, kryebashkiakun e Fierit, i cili tokën bujqësore e shpall truall për të vjedhur, burgosen vartësit dhe jo kryesori”, deklaroi Berisha.

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla u arrestua me urdhër të SPAK pasi akuzohet për abuzim me tenderat.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për dhjetë zyrtarë të tjerë, si dhe dy punonjës janë lënë në “arrest shtëpie”, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me tenderat për ujësjellësin, pasi kanë qenë anëtarë të komisioneve.

Sipas SPAK vlera e tenderit për të cilën akuzohet Alla kap shumën e 322.439.000 lekëve të reja, me afat kohor 10 mujor.

Alla akuzohet  se favorizoi një kompani  për ndërtimin e ujësjellësit në lagjen e vjetër të Bulqizës, duke shkaktuar dëm të konsideruar në buxhetin e shtetit. Punimet janë kryer nga kompania, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.

Arrestimi i Allës, vjen afro dy muaj para zgjedhjeve vendore të cilat do të mbahen në 14 maj në 61 Bashki të vendit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT