Rusia dërgon në Iran armët amerikane që ka kapura në Ukrainë, për të rindërtuar sistemet e tyre

Rusia ka kapur disa nga armët dhe pajisjet e ofruara nga SHBA dhe NATO, të mbetura në fushën e betejës në Ukrainë dhe i dërgon ato në Iran, dhe Uashingtoni beson se Teherani do të përpiqet të rindërtojë sistemet e tyre.
Gjatë vitit të kaluar, SHBA, NATO dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë kanë parë disa raste të forcave ruse që kapën pajisje armësh më të vogla, duke përfshirë sistemet antitanke Javelin dhe anti-ajrore Stinger, të cilat forcat ukrainase ndonjëherë janë detyruar t’i lënë pas, në fushën e betejës, shkruan CNN.
Në shumë prej këtyre rasteve, Rusia i ka dërguar pajisjet në Iran për t’i çmontuar dhe analizuar, me gjasë që ushtria iraniane të mund të përpiqet të ribëjë versionin e tyre. Rusia beson se dërgimi i armëve perëndimore në Iran do ta stimulojë Teheranin të mbështesë luftën e saj në Ukrainë.
Zyrtarët amerikanë nuk besojnë se çështja është e përhapur apo sistematike dhe ushtria ukrainase që nga fillimi i luftës i ka raportuar Pentagonit çdo humbje të armatimeve.
Nuk është e qartë nëse Irani ka projektuar me sukses ndonjë armë amerikane të marrë në Ukrainë, por Teherani ka dëshmuar se është shumë i aftë në zhvillimin e sistemeve të armëve bazuar në pajisjet amerikane të sekuestruara në të kaluarën.