SHËNIM: Mëndjen tek Kosova apo vulëhumburit e PD

Nga Artan Xh. Duka
Botuar në DITA
Po telendisemi ca si gjatë me vulën e PD ndërkohë që ka plot çështje të tjera urgjente e prioritare siç është Asocioni në Kosovë për të cilin duhet të shprehen njëzëri mbarë shteti, politika, media dhe opinioni publik shqiptar në rajon.
Demokratizimi i PD mbetet ogur i mirë demokratik por evolucioni në politikë bën të tijën dhe PD sot ka sfidën e madhe të ndarjes jo thjesht nga politikani non-grata por edhe trashëgimia e tij.
Bota nuk vjen rrotull PD
Mjerisht debati është katandisur tek vula dhe aspak reflektimi ndaj së shkuarës sepse të dyja grupimet janë bashkë kur flitet për të. Ndaj, nuk ka ende asnjë distancim nga rrënimi i bazës ekonomike në vitet 90, mohimi i 29 nëntorit dhe vlerave të luftës e punës, antikomunizmi bajat që maskon rehabilitimin e kolaboracionizmit, përçudnimi sistematik i votës, 21 janari, Gërdeci, piramidat, 97 etj pafund që e kanë tkurrur sot PD në nivele historike.
Sot përsiatja e PD për të adhur në pushtet tingëllon si përkufizimi i çmëndurisë në politikë. E ka humbur shumicën prej kohësh duke ia lënë PS pushtetin në derë ku i vetmi rrotacion i pritshëm mbetet ai mes rrymave brënda kampit rozë.
Por votuesi, e djathta moderne e marrë peng, demokracia, meritojnë më shumë dhe më shpejt. PD nuk mund të jetë më bunker politik i abuzimit elitar, ndryshe, herët a vonë, një tjetër do zërë vëndin e saj.
Por ndërsa tregu politik do të vet-rregullohet një ditë, rreziku i një Asocion arkaik në Kosovë do të vështirësonte shumë gjëra për të gjithë shqiptarët pakthim ndaj dhe asgjë nuk duhet të sfumojë atë.
Asocioni që koha i nxorri bojën
Asocioni është shqetësim mbarëkombëtar. Nëse sot trazohet Kosova, nesër trazohemi të gjithë. Sot Kosova nuk ka nevojë për kritika e retorika që bëjnë orakullin ters duke qënë kaluar por për reflektim rreth gafës së viteve më parë dhe sugjerime e mbështetje, pavarësisht se kush ka pushtetin, për zgjidhje që përmbushin aspiratat kombëtare në rajon.
Problematike është sot se trysnia për Asocionin vjen si nga Serbia (lexo Rusia) ashtu edhe perëndimi. Si argument sillet marrëveshja e viteve më parë duke anashkaluar faktin se Kosova me Kushtetutë është model për trajtimin e pakicave dhe se rrethanat e kanë komplikuar më tej gjeopolitikën duke rrezikuar hapjen e kutisë së pandorës në rajon.
Ngulmimi perëndimor parimor tek morali e serioziteti i një dakortësie të dikurshme stonon sot me rrethanat në rajon. Koha nuk përmbushi pritshmëritë e dikurshme ndaj edhe edhe dakortësia e djeshme sot humb kuptim dhe një gafë e dytë vetëm përkeqëson të parën pakthim.
Ndërsa natyrshëm pritej që pas marrëveshjes së dikurshme mes saj dhe Kosovës, në Sërbi të reflektohej gjithnjë e më shumë ndaj së shkuarës, njihej realiteti në Kosovë, pranohej parimi reciprociteti për trajtimin e pakicave etj, ajo ende mban Kosovën në Kushtetutë, shpall solemnisht vija të kuqe, luan me dy porta me perëndimin etj, rrethana këto që kompromentojnë edhe synimet reale për Asocionin në Kosovë.
Për një Serbi demokratike që sinqerisht vlerëson integrimin në BE, Asocioni nuk duhet të ishte më fare në tryezë. Jo vetëm se Kosova me Kushtetutë diskriminon pozitivisht pakicat si rrallë kund por dhe se në BE të drejtat e pakicave rregullohen automatikisht.
Por ndërkohë Serbia akoma po bën viktimën në rajon, krijon tensione pas tensionesh në kufi, lobon fort për mosnjohjen e Kosovës etj duke vënë në pikpyetje edhe “moralin” e Asocionit në Kosovë.
Koha tregoi se ideja e Asocionit nuk ishte një shqetësim real i një shteti amë për pakicat jashtë tij por një “litar” përjashta për të mbajtur peng Kosovën dhe rajonin tek e shkuara. Ndryshe nga pritshmëritë e dikurshme, Asocioni sot nuk është garantues por zhbërës i qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon me pasojë edhe tek gjeopolitika perëndimore në të.
Reciprocitet e referendum
Joshja perëndimore ndaj Sërbisë nuk duhet të vijojë pafund. Serbia ka patur historikisht gjithnjë në “ekip” Rusinë e Kinën dhe nuk ka pse perëndimi të duket sikur po rreshtohet me ta përballë një Kosove të vetmuar matanë.
Kosova nuk luan me dy porta dhe meriton më shumë. Shqipëria, shteti dhe politika, e para duhet të rreshtohet haptazi e pa komplekse krahas saj sepse një Asocion arkaik dëmton Shqipërinë e mbarë kombin shqiptar si faktori më properëndimor në rajon dhe perëndimi do t’a mirëkuptonte këtë shqetësim.
Mungesa e qëndrueshmërisë në rajon ka zanafillën tek 1913 e padrejtësisë historike ndaj kombit shqiptar. Mëvetësia e Kosovës ishte një korrigjim i parë por një Asocion arkaik do të ishte një prapaktheu gjeopolitik që mund të trazojë e krijojë hamëndjesira tek opinioni publik shqiptar. Paqja nuk çimentohet duke nxitur interesat shovene shekullore në rajon por duke theksuar vlerat e perëndimit dhe përshpejtuar integrimin në BE.
E nëse Asocioni mbetet në tryezë, sa kohë për Sërbinë reciprociteti mbetet “tabu”, i tillë duhet të mbetet edhe ai. Përkeqësimi i rrethanave gjeopolitike me luftën në Ukrainë dhe rreziku i një “perdeje” të re të hekurt në Europë, bën të domosdoshëm edhe rishikimin e idesë së Asocionit dhe plotësimit të tij me kushtet e garancitë rreth tij (T&C).
Përveçse bazuar në reciprocitet, proçesi e marrëveshja duhet të jenë kushtetuese. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet të kënaqë fqinjin që në Kushtetutë ka ende Kosovën si pjesë të saj. Nëse ndryshohet, më së pari të ndryshohet për të drejtën referendare për bashkim kombëtar pas së cilit, llogaritë Sërbia do i bëjë me Shqipërinë.
Dhe mbi të gjitha, çdo formulë Asocioni duhet të kalojë në referendum apo përmes një fushate të re zgjedhore me Asocionin si kryefjalë.
“Deriçka” për të tretë
Bisedimet mbeten jetike për normalizimin e paqen në rajon por pala që nuk distacohet nga agresioni i dikurshëm nuk mund të zërë karriken e viktimës e të imponojë listën e gjërave për më tej.
Aq sa për perëndimin mbetet shqetësim real ndikimi lindor në Sërbi po aq ka rëndësi edhe të inkurajohet faktori unik properëndimor shqiptar në rajon.
Rusia nuk po i kërkon Sërbisë as njohjen e Kosovës apo Asocion për shqiptarët në Luginë për të tunduar shqiptarët drejt saj. E di se është humbje kohe sepse shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe Perëndimi e di këtë.
Me apo pa Asocionin, politika sërbe mbetet ende peng i së kaluarës dhe bota demokratike nuk ka pse ul “stekën” për të kandisur një vënd që nuk është gati për të aq më tepër në kurriz të një kombi që është rreshtuar pa mëdyshje në anën e saj.
Bota demokratike bën edhe pa vënde që janë të dyzuara ndaj vlerave të saj. E ka bërë me dekada gjatë luftës së ftohtë dhe ishte pikërisht ngulmimi në këto vlera që nxiti reformimin real nga brënda dhe shëmbjen e murit ndarës në kontinent.
Kosova nuk u çlirua me luftë që të ndahet në paqe dhe roli i perëndimit në formimin e konsolidimin e shtetit të Kosovës është vetëm fillimi i rivendosjes së barazpeshave natyrale në rajonin e trazuar arbitrarisht më 1913.
Lufta në Ukrainë provoi se dyzimet ndaj autoritarizmit e nacionalizmit arkaik nuk çojnë kund dhe sot Ballkani bie rehat jo duke i tunduar “karrota” (si Asocioni) një shteti që nuk ballafaqohet me të shkuarën e tij por duke imponuar standartin demokratik njëlloj për të gjithë.
Asocioni nuk ofron garanci se Serbia do të lërë pas të shkuarën e saj. Ai vetëm rrezikon të zhgënjejë faktorin shqiptar që pa mëdyshje beson tek e ardhmja në BE. Asocioni arkaik do të ishte një rikthim i së shkuarës në rajon. Një “deriçkë” që BE po e hap vetë nga ku të tretë mund të futin këmbën në shtëpinë e saj. Eja t’a mbyllësh pastaj!