Skema 3D e aksidentit në Tiranë! Inxhinieri: ‘Audi’ ishte me 194 km/h, veproi me frenat! Barriera s’mban goditjet e makinave
Publikohet skema e re 3D e aksidentit tragjik në Tiranë, ku automjeti tip ‘Audi’ afër rreth rrotullimi të TEG-ut doli nga rruga dhe humbën jetën tre të rinjtë, Klevis Rucaj me 2 mikeshat e tij pasagjere, Sikela Perroj dhe Erisilda Abedini.
Skema është realizuar nga inxhinieri Alfred Hasanaj, i cili në një intervistë për “Report TV” thotë se drejtuesi i automjetit ka frenuar por nuk ka arritur të parandalojë goditjen. Hasanaj sqaron se nuk po lëvizte me shpejtësinë 270 km/h por e 194 km/h të cilën arriti ta ulte deri në 130 km/h kur u përplas me barrierën dhe ‘fluturoi’ për 28 metra.
‘Audi’ doli nga rruga dhe përfundoi në anën tjetër të rrugës për të përplasur një tjetër mjet që ishte në lëvizje me shpejtësinë 106 km/h. Hasanaj bën thirrje që të merren masa për cilësinë e barrierave që sipas tij mbajnë goditjet e motorëve e biçikletave, por jo të automjeteve.
“Drejtuesi i automjetit ka vepruar me sistem frenimi dhe më pas mjeti ka kaluar në emergjencë. Hapësira dhe koha për të shmangur goditjen ka qenë e pamundur.
Nga llogaritja, ka qenë me shpejtësinë 194 km/h dhe ka tentuar të frenojë çka ja ka ulur pak shpejtësinë dhe në momentin e hedhjes ka qenë 130 km/h. Automjeti është hedhur për 28 metra. Automjeti Hunday ka qenë 105 km/h. Hedhja është me 28 metra Mjeti Audi është rrotulluar 360 gradë. Barriera mban goditje veç me motor ose biçikletë, jo me automjet”, tha Hasanaj.