Berisha: Detyra ime pas zgjedhjeve, ekstradimi i Ramës në SHBA

Berisha: Më pëlqeu intervista e Eskobar, çështja penale e hapur do të thotë qeli e hapur për Ramën

Ish kryeministri Sali Berisha komentoi sot vizitën që zyrtari amerikan bëri në nisje të fushatës elektorale në Tiranë, takimin me Ramën dhe intervistën që dha më pas.

Berisha tha se i pëlqyen së tepërmi vizita dhe deklaratat e Eskobar, duke shtuar se “kjo vizitë shtroi një detyrë para meje, ekstradimin e Ramës në SHBA”.

“Unë atë deduksion e bëra nga takimi i paprecedent në 32 vite të karrierës sime politike, takim në të cilin nuk u fol asnjë fjalë e vetme. Ndonëse vizita u deklarua se ishte për zgjedhjet lokale, për të nuk pati asnjë fjalë për asgjë.

Cila ishte kryefjala e intervistës së tij? Ishte një: e pyetur nga gazetarja për problemin e Ramës me McGonigal, ai u përgjigj se nuk komenton për një çështje penale e hapur.

E di çfarë do të thotë çështje penale e hapur? Do të thotë derë e burgut e hapur. Një derë qelie e hapur për Edi Ramën.

Kjo ishte kryefjala, kjo ishte e vërteta. Ndaj dhe Edi Rama nxinte bashkë me ministreshat e tij me lopatë në dorë pas takimit.

E dyta, ai ishte një lajm shumë interesant. Edhe në rast se fiton, tha, pra parashikon fitoren time. Unë e vlerësoj këtë.

Unë u thashë se në kryeqytetet e Europës dhe botës po binden për rikthimin e fuqishëm të Sali Berishës dhe fitoren e PD-së.

Po do thuash ti që ai thotë se nuk ndryshon vendimi [për shpalljen non grata]. Këtu kam një përgjigje shumë të thjeshtë. Unë nuk kam kërkuar Sali Berisha një kërkim të ndryshimit. Jo, nuk kam kërkuar. Se si mund të ndryshojë vendimi, pa e kërkuar unë, këtë nuk e imagjinoj.

Unë kam paditur Sekretarin e Shtetit në gjykatën e Parisit për shpifje, çka përjashton çdo mundësi që unë të kërkoj ndryshimin e vendimit. Është vetëm kështu. Unë nuk kam kërkuar ndryshimin e vendimit. Kam zgjedhur këtë rrugë. Unë nuk kam bërë dhe nuk do të bëj asnjë lobim. Kam zgjedhur gjykatën.

Unë e kuptoj se kjo ka ngjallur zemërim, por unë jam qytetar i lirë. Se ajo zyrë ku është sot Blinken, është një nga zyrat ku kam hyrë më shpesh dhe kam kërkuar ndihmë dhe kam gjetur mbështetje.

Por kur tjetri të cenon në dinjitet, ka dy rrugë. Ose kërkon falje dhe ju e shihni se nuk kanë sjellë asnjë provë. Jo se nuk kanë bërë kontrolle, kanë bërë kontrolle të jashtëzakonshme, por nuk kanë gjetur.

Sepse fëmijët e mi nuk kanë marrë pjesë në asnjë tender apo proces publik. Tjetër gjë çfarë kanë manipuluar mediat e Sorosit.

Unë e kam bërë për të mbrojtur dinjitetin tim. E kuptoj që kjo ka qenë lënduese, nuk është antiamerikane, ata që e marrin antiamerikane, gabojnë.

Kurse përsa i përket guvernatores [Yuri Kim], unë edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, FBI-së dhe Kongresit të SHBA të hetojnë aferat korruptive të ambasadores Yuri Kim, përfshi këtu edhe pronat e saj në Shqipëri.

Garantoj në mënyrën më të hapur se PD është e gatshme të kontribuojë me prova dhe fakte në zbardhjen e këtyre problemeve. Kaq!”, tha Berisha. /noa.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT