Do pastronin 18 milionë euro të “Cosa Nostra”-s në Shqipëri, GJKKO dënon kunatin dhe shoferin e Rezart Taçit

Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për kunatin dhe shoferin e biznesmenit në kërkim Rezart Taçit. Për Artur Ballën GJKKO ka dhënë 11 vite burg, ndërsa për Bledar Lilon 10 vite.

Ata akuzohen për pastrim parash, për shumën 18.4 milionë euro që do të pastroheshin në Shqipëri, shumë e cila me vendim të GJKKO do i kalojë shtetit.

18.4 milionë euro të mafies italiane “Cosa Nostra” u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021. SPAK thotë se Rezart Taçi do pastronte 18.4 milionë euro përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen.

Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Bledar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.

Artur Balla dhe Bledar Lilo akuzohen për veprën penale të pastrimit të parave. Masa më e butë e sigurisë që ata kanë kërkuar, nuk është pranuar më parë as nga Apeli i Posaçëm. Artur Balla dhe Bledar Lilo, sipas SPAK, janë angazhuar dhe kanë vepruar në vendin tonë për llogari të ish-bosit të “ARMOS”, shkruan neësbomb.al.

Disa persona u arrestuan edhe në Itali, mbi 18 milionë euro u bllokuan në një bankë në Tiranë sepse ishin nisur nga Italia me qëllim pastrimin e tyre dhe transferimin në vendet e tjera. Në vendin tonë u arrestuan kunati dhe shoferi i Taçit, ndërsa në Itali ishin disa. Vetë biznesmeni shqiptar është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kontabilisti Fabio Petruzzella, dyshohet se ka vendosur më shumë se 18 milionë euro në një llogari bankare në Tiranë, për të shpëtuar këtë shumë parash nga konfiskimi në Itali. Kundrejt përfitimit në përqindje ai është ndihmuar nga Rezart Taçi. Në këtë skemë të madhe mashtrimi janë përfshirë në total katër shtetas të huaj, tre italianë dhe një zviceran.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e informacioneve dhe verifikimeve kryesisht, ka regjistruar procedimin penal nr.211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT