FOTOT/ Investigimi: Dokumentet që tregojnë se Belind Këlliçi nuk ka diplomë të shkollës së mesme

Gazeta Shqiptarja.com, në një investigim të saj, ka arritur përfundimin se Belind Këlliçi nuk e ka diplomën e shkollës së mesme.

Media në fjalë, ka siguruar përgjigjet zyrtare të shkollës së mesme Harry Fultz në Tiranë, si dhe të ministrisë së Arsimit, nga të cilat rezulton, se Këlliçi nuk e ka kryer provimin e maturës.

Sipas investigimit, Belind Këlliçi ka qenë nxënës i mirë, madje me mesatar 9.7, por pasi ka mbaruar 4 vite të Harry Fultz, dega biznes, është larguar jashtë shtetit, siç është shkruar edhe në regjistër.

Por cikli i kësaj shkolle të mesme jo publike në Tiranë është 5 vjeçar, pastaj duhet të marrësh diplomën, proces i cili kryhet pasi të kryhet provimi i maturës.

Në fakt, edhe vetë Këlliçi në një intervistë në Syri TV e ka pranuar se ka kryer 4 vite.

“Unë si Belind, për të gjithë procesin tim të edukimit, që nga shkolla e mesme që kam përfunduar për 4 vite institutin “Harry Fultz”, nga cikli pesë vjeçar, me një mesatare 9.7, më pas kam shkuar për të studiuar në Amerikë”, tha si.

Sipas shqiptarja.com, të njëjtin fakt, pra që Këlliçi nuk është pajisur kurrë me diplomën e shkollës së mesme, e konfirmon edhe Ministria e Arsimit, t e cila shprehet se në rregjistrat e maturës shtetërore nuk gjendet emri i Këlliçit.

Që do të thotë se Belind Këlliçi nuk është futur në provimet e Maturës Shtetërore, e për rrjedhojë nuk mund të jetë pajisur kurrsesi me një diplomë të vlefshme të shkollës së mesme. Kjo konfirmohet edhe nga numri i amzës së shkollës së mesme, me anë të së cilës vërtetohet se ai nuk e ka mbaruar ciklin e plotë 5 vjeçar, pasi në regjistër ka një shënim ku thuhet “është larguar jashtë shtetit” në vitin 2004-2005.

Shqiptarja.com, ndërkaq, pretendon se Belind Këlliçi, ka kryer njësim të paligjshëm të diplomës universitare, pas kthimit nga SHBA. Kjo ka ndodhur në vitin 2010 kur Ministria e Arsimit drejtohej nga qeveria e Sali Berishës dhe nuk dihet nëse dikush ka mbyllur një sy apo Këlliçi ka mundur që të mashtrojë komisionin, njësoj siç bëri edhe me universitetin amerikan.

Shqiptarja.com, thekson se njësimi i diplomës universitare nga ana e Ministrisë së Arsimit qëndron në faktin se një diplomë universitare “Bachelor”, niveli 6 i kualifikimit, sipas Kornizës Shqiptare e Kualifikimeve, është njohur si “master i shkencave”, niveli i 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, në kundërshtim me ligjin nr. 10247/2010 “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, (sipas të cilit, të kesh akses në nivelin 6 të kualifikimit duhet të kesh përfunduar nivelin 4 të kualifikimeve) dhe ligjin nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” (neni 92 i tij).

Nga dokumentacioni i siguruar nga Ministria e Arsimit lidhur me këtë çështje, Këlliçi ka deklaruar përpara komisionit të njësimit të diplomës (deklarata e depozituar prej tij në MAS) se kriteri hyrës në Universitetin që ai ka përfunduar studimet është “përfundimi i shkollës së mesme”. Ky fakt konfirmohet edhe nga një hulumtim në faqen zyrtare të “Coppin University”, ku sipas saj, kriteri minimal hyrës në këtë universitet është pikërisht “përfundimi i shkollës së mesme”.

Gazeta, thekson më tej se “kur Belind Këlliçi është regjistruar në “Coppin University” (2005), vëllai i tij punonte pikërisht në zyrën e pranimeve të studentëve të universitetit amerikan. Ka dyshime të forta se ka qenë pikërisht vëllai i tij, i cili nëpërmjet ndërhyrjes së tij, e ka ndihmuar të regjistrohet lehtësisht në këtë universitet, pa e pasur diplomën e shkollës së mesme”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT