Ilir Meta: S’duhet t’ia lemë këtë vend me pasuri përrallore, Edi Ramës

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 14 Majit në mënyrë që të ndalet shpopullimi.
Ai tha se ky vend me pasuri përrallore, pra Shqipëria, nuk i duhet lënë Ramës.
“Që të ndalojmë shpopullimin duhet të marrim pjesë të gjithë në zgjedhje. Të parët tanë e kanë mbrojtur këtë vend me pasuritë përrallore duke sakrifikuar gjithçka dhe ne nuk mund të lejojmë sot që një sekt të detyrojë shqiptarët të largohen nga vend ii tyre dhe këtë vend ta dorëzojnë në duar mizore.
Është detyra jonë të shkojmë të gjithë dhe të votojmë më 14 Maj dhe të shkatërrojmë ata që kërkuan ta kthejnë Shqipërinë në ferr për shqiptarët e ndershëm. Dhe në një parajsë për të fortët dhe mafien ndërkombëtare, Nuk është rastësi që jemi vendi që e ka braktisur bujqësinë dhe blegtorinë”, tha Meta.
Ai tha se qytetarët nuk duhet të bien pre e rilindjes duke garantuar se vota e tyre është e mbrojtur. “Vota juaj do të jetë e mbrojtur. Mos bini pre e rilindjes që kërkon të krijojë pasiguri. Ndaj të gjithë duhet të merrni pjesë dhe të votoni për të ndëshkuar këtë sekt që ka prioritet babëzinë e tij që nuk njeh limite”, deklaroi Meta.
Meta u shpreh se plani i Belind Këlliçit për transportin publik falas është i mirëmenduar dhe do të ulë ndjeshëm trafikun në qytet.
“Programi i Belind Këlliçit për Tiranën është një program i mirëmeduar. Ne e kishim bërë të qartë edhe më përpara që ishim të gatshëm për ta bërë transportin publik falas në mënyrë të veçantë për disa kategori siç janë pensionistët dhe nxënësit e shkollave. Zoti Belind Këlliçi me programin e tij të guximshëm e ka argumentuar shumë qartë. Është i domosdoshëm në Tiranë sepse do të ulë ndjeshëm trafikun dhe ndotjen në Tiranë. Është një burim i frikshëm i sëmundjeve të reja që janë shfaqyr në kryeqytetin tonë”, u shpreh ai.
Sipas Metës emigracioni masiv nuk mund të ndalohet përmes mbylljes së kufijve sepse shqiptarët janë një komb i lirë, por përmes politikave lehtësuese. Ai u shpreh se qeveria ka për qëllim të largojë të rinjvë nga vendi për të pasur një kontroll dhe nënshtrim sa më të madh të qytetarëve.
“Ne nuk besojmë se emigracioni mund të ndalohet përmes mbylljes së kufijve sepse jemi vend demokratik dhe i hapur. Nuk jemi dakord me Edi Ramën që thotë ashtu ikin të rinjtë në të gjithë vendin. Nuk është një largim proporcional dhe i pranueshëm. Në rastin e Shqipërisë është shpopullim dhe jo emigrim. Në 10 vendet e para në botë për kalim të paligjshëm të kufirit në Britaninë e Madhe, vendi i parë në botë është Shqipëria, ndjekur nga vendet që janë në gjendje lufte apo konflikte civile. Nuk gjeni dot një vend tjetër europian në rajonin tonë të Ballkanit.
Kjo është politika e qeverisë aktuale për të larguar pjesën më aktive dhe më vitale të vendit tonë dhe qeverisë sonë për të pasur një kontroll sa më të madh të vendit dhe nënshtrim sa më të madh të qytetarëve. Plani ynë është i bazuar në rritjen e mundësive për të rinjtë dhe të rejat për t’u arsimuar në vendin tonë. Këtu ka një rol shumë të rëndësishëm edhe pushteti vendor. Kjo pa dyshim që ka të bëjë edhe me një mbështetje më të madhe të rinjve dhe të rejave. Ne e dimë sa e rëndësishme është të mbështesim familjet e reja. PL ka një program të qartë për të mbështetur çiftet e reja”, tha Meta.