Ishte titullar ndaj Shqipërisë, lojtari i kombëtares së Polonsë dënohet për doping

Futbollisti i kombëtares së Polonisë, Bartosz Salamon, i cili ishte titullar në ndeshjen ndaj Shqipërisë, është dënuar nga UEFA me tre muaj jashtë fushave. Ka qenë vetë klubi i Lech Poznanit, ku lojtari aktivizohet, që ka njoftuar lajmin.
Salamon ka rezultuar pozitiv në testin antidoping të kryer pas ndeshjes së kthimit të 1/8-ve të finaleve të Conference League kundër Djurgarden. Ai tashmë është pezulluar nga çdo aktivitet sportiv zyrtar dhe do të duhet të qëndrojë tre muaj jashtë fushave.
Në këtë mënyrë ai humbet edhe ndeshjen ndaj Fiorentinës në Conference Legaue. Lajmi për gjetjen e substancave të palejuara në trupin e tij u bë i ditur më 4 prill. Megjithatë, ai nuk ishte dënuar deri më tani, pasi klubi i Poznan kishte kërkuar një test të mostrës B.
Vetë mbrojtësi është shprehur i habitur nga ky rezultat dhe është treguar bashkëpunues me autoritetet. Në ditët e shkuara është përfolur që Shqipëria mund të marrë fitoren në tavolinë për ndeshjen ndaj Polonisë, por kjo është tërësisht e pavërtetë dhe e pamundur.