“Mos u habisin sikur të kërcejë edhe lakuriq”, Meta për fushatën e Ramës: Do bëjë çdo gjë që të shmangë vëmendjen, është gati për çdo marrëzi

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë një takimi me gratë dhe vajzat e njësisë numër 9 në Tiranë ka ironizuar kryeministrin Rama, i cili një ditë më parë u shfaq duke kërcyer gjatë fushatës elektorale.
Gjatë fjalës së tij Meta tha se Rama i bën të gjitha këto marrëzi për të hequr vëmendjen nga aferat e qeverisë.
I ndalur tek kandidatët për kryetar bashkie apo edhe këshilltarë, Meta tha se kandidatët koalicionit Bashkë Fitojmë janë profesionistë, ndërsa ata socialistë janë përfaqësues të klaneve që i shërbejnë vetëm Ramës.
“Kandidatët e koalicionit bashkë fitojmë janë profesionistë, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndërsa të tjerët janë të parashutuar në minutat e fundit, përfaqësues të klaneve të ndryshme dhe janë aty për ti shërbyer grabitjeve të Ramës.
E keni parë si kërcen? Mos u habisin sikur të kërcejë edhe lakuriq. Do bëjë çdo gjë që të shmange vëmendjen. E ka çuar situatën ekonomike sociale të vendit në një greminë të vërtetë shoqërore. Ka polarizuar vendin kaq shumë duke favorizuar një sekt dhe duke varfëruar shqiptarët dhe duke goditur shtresën e mesme të Shqipërisë.
Ai është gati të bëjë lloj lloj marrëzish. Prandaj mos humbasim kohën. Më 14 maj votojmë për gjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën tonë. Përveç mesazhit politike kundër vjedhjes dhe korrupsionit”, tha Meta.