Paradoksi i pagave, për të qeshur apo për të qarë!

Nga Aranit Muraçi

Në kushte normale pagat duhet të ishin rritur më parë dhe më tepër në sektorin privat. Puna është treg, dhe ajo si çdo gjë tjetër që del në treg, varet nga ligjet e kërkesës dhe ofertës.

Në sektorin privat vendi i punës fitohet përgjithësisht në bazë të meritokracisë dhe produktiviteti në këtë sektor është më i lartë. Mjafton si krahasimi më i mirë audienca e Televizionit Publik, me mediat e tjera. Punonjësve të sektorit privat nuk u deklarohen të ardhurat në shumë raste, ose u deklarohen pjesërisht. Në sektorin privat është bërë zakon që të mos respektohet orari, as ditët e pushimit bazuar mbi kodin e punës. Kostoja e humbjes së vendit të punës në rast pushimi të padrejtë nga puna, si një tjetër ndryshim nga sektori publik, mbulohet nga i pushuari. Dhe si për ironi, të punësuarit e këtij sektori nuk kanë asnjë përgjegjësi për nivelin e korrupsionit në vend.

Për të mbështetur rritjen e pagave në sektorin publik dy janë opsionet më të mundshme në kushtet aktuale: do të shtohen më tej taksat, ose do të rritet më tepër inflacioni. Ose të dyja bashkë. Rrugë tjetër më të “mirë” për të rritur pagat momentalisht nuk ka! Megjithëse ka një zgjidhje më ideale: dëmi që i shkaktohet buxhetit të shetit shkon mesatarisht 800 milionë euro çdo vit sipas KLSH-së. Nëse do të kishim njerëz më të përgjegjshëm, të aftë dhe institucione ligjzbatuese dëmi do të ulej dhe me paratë që do të kurseheshin pagat do të rriteshin.

Taksimi i bizneseve do të thotë se ata duhet të shkurtojnë vendet e punës, ose sektori privat do të detyrohet të ulë pagat për të punësuarit e tij me qëlim për përballimin e kostos së shtuar nga rritja e pagave në sektorin publik.

Kështu, shtohet rreziku që të krijohet një hendek edhe më i madh pabarazish mes sektorit publik dhe atij privat në vend që të studiohej tregu para se të ndërtoheshin politika më premtuese që të dy sektorët të konkuronin me njëri-tjetrin. Në vendet e tjera sektori shtetëror dhe ai privat konkurojnë për më të aftët dhe rritja e pagës varet nga aftësitë krijuese dhe produktiviteti i gjithsecilit.

Ka gjasa që rritja e pagave në sektorin shtetëror të demoralizojë punonjësit e sektorit privat,  të cilët si rrjedhojë, në të ardhmen, ose do të shtojnë konkurencën t’u punësuar për në sektorin publik ose do të shohin emigrimin si rrugëzgjidhje.

Shqipëria e së ardhmes bazuar mbi këtë logjikë ekonomike mund të jetë projektuar kështu: Do të mbeten ata që do të jenë të punësuar në sektorin publik, dhe sektori privat do t’i mbajë shpresat për të gjetur fuqi punëtore nga bangladeshasit, nigerianët, filipinasit, palestinezët etj.

Në të dyja rastet rritja e produktivitet ka pak gjasa të ndodhë, kurse rritja reale e pagave, për fat të keq, s’ka asnjë gjasë që të ndodhë.

– Për të kuptuar paradokset duhet të jesh inteligjent, për t’i ndjekur ato duhet të jesh budalla, – thotë Pitigrilli. Paradoksalisht nuk janë të paktë shqiptarët, në realitet populli më i varfër i Europës, të cilët besojnë ose shohin “ëndrra” sikur janë populli më inteligjent dhe më i shquar në botë!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT