Paralajmërimi i fortë i Ramës: Do hapim probleme të mëdha me Gjykatën e Arbitrazhit! Po shikojmë daljen nga juridiksioni i saj

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot zhvillime të forta që do të ndodhin në Gjykatën e Arbitrazhit, duke thënë se Shqipëria po shikon mundësinë që të dalë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit.

I pyetur nga gazetarët për vendimin për t’i njohur biznesmenit italian Francesco Becchetti një dëmshpërblim prej 108 milionë eurosh, në të njëjtën kohë kur ai është dënuar me 17 vite burg nga Gjykata e Tiranës, Edi Rama tha se nga fillimi i javës tjetër do të ketë “probleme të mëdha”.

“Meqë më dolët në këtë temë të kaq të dashur për ata që mendojnë se e mira e tyre është e keqja e Shqipërisë dhe që gëzohen sa herë që ka një lajm të kësaj natyre në vend që të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar arrin të çajë rrugën në një gjykatë me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha duke filluar nga java e ardhshme dhe nga e cila po analizojmë mundësinë e daljes fare nga ai juridiksion sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur”, u shpreh Edi Rama.

Ai foli dhe për akuzat e opozitës, duke theksuar se paratë e pretenduara nuk kanë shkuar në xhepat e biznesmenit italian. Sipas Edi Ramës, opozita ka nisur fushata të tilla shumë herë, madje ka shpërndarë dhe fletëpalosje në rrugët e Tiranës.

“Por ajo që ka rëndësi sot për ta dëgjuar publiku është se po këta njerëz i kanë thënë publikut para dy vjetësh që Shqipëria i ka paguar ato para. Po këta njerëz kanë shpërndarë edhe fletëpalosje në makina në bulevard dhe poshtë dyerve që ikën 100 milionë.

Ja që këto 100 milionë nuk paskan ikur dhe ju tani po bëni pyetjen janë bllokuar apo jo, domethënë që nuk janë fare gjëkundi në xhepin e atij mashtros dhe ky është momenti që t’iu kërkoni falje shqiptarëve që i keni gënjyer për aq shumë kohë duke iu thënë të kundërtën. Sa i përket luftës me të ne e bëjmë dhe do ta bëjmë deri në fund edhe pa këtë soj të prishur shqiptarësh”, përmbylli ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT