REPORTAZHI: Në Vlorë, këtë fund prilli

Nga Hamdi Jupe

Rruga nga Tirana deri në lagjen Skelë të Vlorës është me katër korsi. Nisja herët, rreth orës gjashtë të mëngjesit, të jep mundësi të shmangësh trafikun që shtohet minutë pas minute në aksin Tiranë – Durrës. Ai është disi normal deri te Rreth – rrotulllimi i Rogozhinës. “Anormaliteti” është më tej, kur ai,  trafiku,  vjen e rrallohet deri në mosekzisencë, duke u shtyrë drejt jugut.  Ti ecën në autostradën, e tëra jotja,  pa u shqetësuar, me shpejtësinë e lejuar 110  km në orë, se makinat në të numërohen me gishtat e njerës dorë. Një njoftim zyrtar se do të bllokohet për një ditë kjo rrugë për arsye riparimi, ngjan si i vitit të kaluar. Ndëkohë, një diell i bukur ka mbuluar Myzeqenë e kaplluar nga gjelbërimi i ri në fund të prillit.

Unaza e Fierit dhe rruga e re e Vlorës të lejojnë të ecësh. Nuk ka gjurmë polici në të që të ta prishë humorin dhe, po ashtu, nuk ka arsye të nxitohesh. Vlora është aty, nuk ka ku të shkojë. Në këtë rrugë të qetë, në këtë orë të mëngjesit, të merr malli të shikosh një tollovi makinash, të kërleshura me njera – tjetrën në ndonjë aksident, siç sheh jo rrallë në rrugët e kryeqytetit, por jo, nuk ke shans.  Edhe kafenetë dhe restorantet buzë rrugëz mezi mbajnë frymën gjallë nga klientët e paktë, në pritje të vërshimit të turmave të pushuesve gjatë verës. E di, nuk do të jetë edhe për shumë kohë kështu, se vera po troket në horizont.

Ora nëntë e mëngjesit dhe ja ku po na shfaqet Vlora, e ndriçuar tanimë nga një diell i pastër, pas disa rrebeshesh të shkurtra shiu ditët e fundit. Bluja e thellë e  detit reflekton ngjyrën e qiellit po blu. Rrepet e mbjellla gjithandej vitet e fundit, u japin hijeshi rrugëve, me  shpalosjen e plotë dita – ditës të klorofilës së tyre. Rruga “transballkanike”, si një nga arteriet kryesore të qytetit, nuk është e mbingarkuar akoma nga trafiku. A flenë gjumë ende vlonjatët, apo nuk ka më vlonjatë këtu? Mos kemi ardhur gjë më herët se ç’duhet në këtë qytet bregdetar ne, “tiranàsit”? Duket se janë të trija bashkë që e kriojnë këtë tablo përhumbjeje pranverore. E, ditë punë asht, do të thoshte Migjeni.

Vlora i ka të paktë banorët në dimër, ndryshe nga sezoni veror. Nga ana tjetër, ajo nuk është zgjuar ende nga “gjumi” dimëror. Ajo pret  të kalojë edhe pak kohë e pastaj të gjallërohet, deri në bezdi.  Edhe pak, edhe pak, pa do ta shikoni, kur të gumëzhijë nga “hordhitë”e  makinave luksoze dhe e pushuesve të shumtë të vendit dhe të huaj. Edhe unë do jem prapë atëhere këtu, si “kollovar” i këtij qyteti prej më shumë se dyzetë vjetësh. Ca në Vlorë, ca në Tiranë, gollo, gollo, gollovarë.

Në vesh më vijnë vargjet e këngës së njohur popullore:  “Moj Vlorë e bukur në Gropë/, sqelë e parë në Evropë”. Mos është gjë ekzagjerim ky? Jo, këtu, pranë Vlorës, është zhvilluar beteja e luftës civile midis çezarit dhe Pompeit, Perandorit të Romës dhe sfidantit të tij në shekullin e parë p.e.s.  Edhe në filmin “Sulejmani i madhërishëm” pëmendet Vlora si një port i rëndësishëm strategjik i perandorisë osmane gjashtëqind vjet më parë. Historia me flotën sovjetike më 1960 dihet.

Trafiku në rrugën Vlorë –Skelë është i rënduar. Rruga është ngushtuar në dy korsi vajtjje – ardhje, duke zgjeruar trotuaret. Por vlonjatët s’e kanë për gjë të ndalojnë makinën në mes të rrugës një-kalimshe e t’ia futin një dorë muhabet me ata që janë në trotuar. Ose të hapin telefonat e të lexojnë mesazhet që janë publikuar një natë më parë për skenat e spektaklit “Big Brother”.  Ata, vlonjatët do të dëshironin që autobuzi të mos ecte si në të gjithë botën, pra, për “së gjati”, por për “së gjeri”, sepse secili prej tyre dëshiron të jetë në krye të tij.

Është kulmi i fushatës për zgjedhjet vendore, por këtu nuk duken gjurmë të saj. Nuk kam ardhur për të, por nuk mund të shkëputem nga huqet e kohës kur shkrimet “kullonin” politikë. As postera, as billborde, as fletushka, as shkrime nëpër mure, as sharje, as fyerje, mitingje jo se jo. Të paktën në rrugët kryesore të saj, të cilave u rashë kryq e tërthor nga Pusi i Mezinit deri në Orikum. Banalitetin elektoral, mavi apo blu, me dy gishta apo me një gisht përpjeti, e kisha lënë prapa krahëve në Tiranë.

Opozita është e dobët në Vlorë, prandaj nuk kishte nevojë të ndërhyja unë në fushatë për të ndihmuar kandidatin  e ri socialist Dredha për të siguruar fitoren. Ai fitoi qysh kur socialistët vlonjatë, ndryshe nga të gjitha qytetet e tjera, e zgjodhën kandidatin e tyre për kanditat me votim të fshehtë midis dy sfidantëve. Kjo është garancia kryesore për fitoren e tij. Përveç kësaj, ka punuar edhe Dredha “i vjetër” dikur, në të shkuarën, për Dredhën “e ri”. Dardha nën dardhë do të bjerë. Ka punuar edhe shefi i Foltores që e ka bërë opozitën kashtë e koqe gjithashtu. Uroj që pasi të vendosë shiritin e kryetarit të ri të bashkisë, Zoti Dredha (i riu) të mos i bëjë dredha në punën e tij Zeusit të partisë, se ndryshe, e pëson si kryetari i deritanishëm i bashkisë, që përfundoi në listen e “tradhtarëve”.

Vlora është bërë e bukur gjatë këtyre viteve të qeverisjes së majtë. Janë bërë punë të papara atje. Ka ndryshuar pamje Vlora. Pallatet e vjetra nuk dallohen nga ato të rejat, sepse është vënë në dorë për kthimin e tyre në identitet, me anë të Rilinjdes urbane. Ca e quajnë “lustër” këtë, por edhe për ca luster kemi nevojë, se kishte pesëdhjetë vjet pa u vënë dorë në to, dëgjomëni mua, se kam qenë atje. Ja, rashë prapë në kurthin e politikës së ditës, por është e kotë, nuk i shpëton dot. Ndryshe, hajde të flasim për pendët e laraskës.

Shëtitorja buzë detit në Skelë është një nga punët e mbara që është kryer, por jo vetëm. Kryeministri Rama e quan atë “lungo mare”, duke përdorur një barbarizëm të huaj. Unë e quaj shetitore buzë detit, fjalë e burkur shqipe. Zëvendës/kryeministri komunist Manush Myftyu mbante redaktor gjuhësor shokun tim të Universitetit nga Gjirokastra për të korrigjuar nga ana gjuhësore fjalimet dhe raportet, para se këto të merrnin formë zyrtare. Edi Rama premtoi ta ribënte këtë gjë për të ruajtur gjuhën shqipe, por e shkeli premtimin dhe lejoi edhe vetë përdorimin e barbarizmave të huaja në gjuhën e bukur shqipe. Të keqen e Manushit. Ka mbetur vetëm profesori i nderuar Xhevat Lloshi dhe ndonjë tjetër që flasin pë nevojën urgjente të mbrotjes së gjuhës shqipe, të marrë nëpër këmbë së pari nga politikanët injorantë shqiptare. Sa e bukur është Vlora, aq e shemtuar duket ajo, kur thuajse të gjitha tabelat e dyqaneve dhe bisneseve, institucioneve etj  janë në gjuhë të huaj, sidomos italisht. Na mbiu majmunizmi në derë.

Një vizitë e shpejtë te Sheshi i Flamurit më mbush me një ndjenjë të përzier krenarie dhe trishtimi  njëherësh.  Ky është sheshi historik  shekullor i Vlorës. Rreth tij janë simbolet kombëtare: Monumenti i Pavarësise, Varri i Ismail Qemalit, Varrezat e Dëshmoreve të Luftës Antifashiste përballë në kodër, ndërtesa e vjetër e Bankës, Pazari i vjetër karakteristik që po kthehet në identitet. Mirëpo mu këtu, në Sheshin e flamurit, duke i zënë frymën Pazarit, ka hedhur rrënjë një masiv betoni, i derdhur këto kohët e fundit, pa asnjë lidhje dhe kuptim me monumentet e historisë dhe kulturës kombëtare. I dhënë pas betoneve, piktori e hodhi edhe këtu një bajgë gjigande betoni, atje ku nuk kishte as vend , as sens për ta bërë një gjë të tillë. Më mirë të kishte ngritur nga e para sarajet trekatëshe të Vlorajve, atje ku ishin dikur.

Ndër bukuritë që tërheqin vëmendjen e vizitorëve është gjelbërimi i rrugëve me rrepe. Ato janë në trojet e tyre në qytetin që noton mbi ujëra. Ato tani po i zgjerojnë përditë kurorat e tyre. Shpejt njerëzit në verë këtu do të udhëtojnë nën “tunenelet” e gjelbër. E di si ka qenë Vlora më pare, e mbetur si shkretëtirë, e shumta, me disa palma të vjetëruara dhe disa portokalle që vetem emrin kishin të tilla, sepse nuk kishin gjelbërim.

Punimet në shëtitoren buzë detit në  lagjen Skelë vazhdojnë pa ndërpèrje. Ajo zgjatet e zgjatet, sa në drejtim të Ujit të Ftohtë, ashtu edhe në atë të Pyllit të Sodës. Nga këto punime ka dalë në dritë të vërtetë bregu i qytetit. Ka dale në dritë në tërë madhështinë e saj edhe shtëpia modeste dykatëshe, që shërberu si seli e qeverisë së parë shqiptare të shtetit të pavarur të kryesuar nga Plaku i Vlorajve, Ismail Beu. E meritonte Vlora dhe Shqipëria një ringjallje të tillë.

Radhima buzë detit është akoma e përgjumur nga dimri. Rallë shikon ndonjë oxhak kuzhine nga restorantet buzë rrugës që nxjerr tym. Domosdo, plazhet janë të boshatisura. Nuk shikon asnjë çadër të hapur në to. Hotelet buzë detit po shtohen e po zbukurohen në pritje të pushuesve. Aroma e mishit të pjekur të qëngjit, karakteristikë e këtyre anëve, është tani një kujtim i verës së shkuar. Qëngjat bredhin kodrave e lëndinave gjithë hare, siç i përshkruan Naimi, për të ardhur pastaj këtu, për të shuar oreksin e pushtuesve të lodhur nga dallgët.  Bridhni qëngja, bridhni, deri sa të bëheni shelegë andej nga korriku e gushti e pastaj këtu do të vini të vërtiteni në hell, në hellin metalik, që vihet në lëvizje nga elektromotorët modernë, mbi furnelat elektrike të kohëve dixhitale.

Shumë nga qëngjat dhe kecat e “dixhitalizuar” do të vijnë nga Maqedonia e Veriut, Kosova etj, dhe do shiten këtu si mall “safi” vendi nga Karaburuni, sepse qëngjat tek ne kanë dalë “hallkë e tepërt”. Numri i tyre po zvogëlohet çdo vit, falë politikave të “mençura” të qeverisë në drejtim të bujqësisë dhe fshatit. Po s’ka gjë, se edhe shumica e turistëve nga Maqedonia dhe Kosova do të jenë. Ne marrim dhjetë  lekë nga turizmi dhe japin nëntë për të blerë speca e domate nga jashtë vendit. Fitim i madh vërtet, apo jo!

Do vij prapë këtu, do vij, ja, sa të ngrohet edhe pak moti. Vitin tjetër do të hapet edhe aeroporti ndërkombëttar i Akërnisë, edhe Porti i jahteve në Skelë, edhe tuneli i Llogarasë. Jam peng i Vlorës prej më shumë se dyzetë vjetësh me të gjitha të mirat dhe të këqiat e saj. Ashtu mbeça.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT