“Serbia minoi Tropojën e Kukësin. Shteti shqiptar nuk ngriti kurrë padi për 215 viktima”

Ndërkohë që në Hagë po mbahet gjyqi për ish-komandantët e UÇK-së gazetarja Rudina Xhunga solli sot në “Shqip” në DritareTv historinë e Violeta Dukaj, gruaja nga Deçani, që pastroi Kosovën dhe Shqipërinë nga minat nga 1998-ta. Nga SHBA-ja, Violeta tregon në Shqip se si zbulonin minat e vendosura në kufirin e Kosovës dhe Shqipërisë që në vitin 1981 nga serbët dhe jugosllavët, disa vite para se të niste lufta në Kosovë. Falë hartës serbe, ata arritën të gjenin ku ishin vendosur minat dhe t’i çmontonin.

Violeta tregon se si ndodhën 215 shpërthime të minave në kufirin e Shqipërisë me Kosovën, 20 shqiptarë humbën jetën dhe shteti thotë Violeta nuk bëri asgjë për ta. Në Kosovë, rrëfen Violeta nga 1998-ta deri në vitin 2000 kanë ndodhur 430 aksidente me minat, pati 109 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur. Violeta humbi këmbën ndërsa po përpiqej të çmontonte një minë në Shqipëri. Ajo tregon plot guxim se si i shpëtoi vdekjes, vendosi një protezë në këmbë dhe u rikthye pas 6 muajsh në fushën e vdekjes për të çmontuar mina.

“Unë kam punuar për ato toka shqiptare, për ata kufij dhe kam parë shumë gjak që ka rrjedhur në atë vijë të kufirit. Kjo më shtyu që t’u shkruaj t’ju tregoj historinë e shumë viteve më parë. Uroj që historinë time ta dëgjojnë pushtetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës. Shqipëria është në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit ka mundësi të bëjë shumë edhe për vete edhe për Kosovën.

Unë kam punuar nga viti 1999, deri në vitin 2000, në Kosovë për pastrimin e tokave shqiptare nga minat dhe eksplozivat serbe. Unë vendosa të bëhem çmontuese minash kur pashë fshatin të mbushur me mina. Gjatë luftës ne ishim në Shqipëri, në Lezhë dhe kur u ktheva në Kosovë tokat tona ishin të minuara, tokat e xhaxhallarëve të mi, tonat, tokat e fshatit tonë ishin të minuara. Çdo ditë ndodhnin aksidente në Kosovë dhe nga kjo vendosa që duhet të bëja diçka.

Jam përballur me vdekjen që kur vendosa të nis atë punë dhe pastaj shkoja në fushat e vdekjes. Fillimisht u trajnova nga oficerë të ushtrisë amerikane dhe angleze për çmontimin e minave. Unë udhëhiqja grupin e djemve. Ata zbulonin ku ishin minat dhe unë i çmontoja. Më shumë kam punuar në vijën kufitare Kosovë-Shqipëri, sepse ishte vendi më i minuar në Kosovë dhe kishte më shumë aksidente. Në Kosovë na kanë ndihmuar shumë edhe hartat që kishim, që tregonte ku kishte vendosur mina ushtria serbe e jugosllave.

Ato harta iu dorëzuan ushtrisë amerikane në Konferencën e Kumanovës. Unë si gjithë shqiptarët mendoja se minimi i Kosovës dhe Shqipërisë ishte bërë gjatë luftës, në ‘97-‘98-ën. Unë pashë në hartat jugosllave-serbe që minimi ka nisur që në vitin 1981. Ka pasur mina që në 1981-shin në kufirin tonë, sepse kur ishin protestat e Kosovës, ata kanë menduar që po ndodh diçka më shumë dhe nisën minimin. Por meqë u stabilizua situata, e kanë lënë. Sigurisht më shumë ishte minuar kufiri sepse mendonin se ne do ta kalonim kufirin për të shkuar në Shqipëri. U minuan 120 kilometra nga Shishtaveci i Kukësit, deri te bjeshkët tona, e ne kufirin me Malin e Zi.

Kosova ishte më shumë, por edhe nga Shqipëria. Kur kemi përfunduar pastrimin e minave në Kosovë, nisëm me ato brenda kufirit të Shqipërisë. Fillimisht shkruam si grup zbulimi, për të parë territorin brenda. Folëm me kryebashkiakët e Tropojës, Kukësit, Hasit, Bajram Currit. Pamë që kishte shumë viktima dhe të aksidentuar dhe askush nuk ishte marrë me ta. Pastaj nisëm me zbulimin e minave. Pamë që 400 metra brenda territorit shqiptar kishte mina. Në Shqipëri kanë ndodhur 215 aksidente, 20 ishin fatale.

Ka njerëz që kanë humbur sytë, kanë humbur këmbët dhe shteti shqiptar nuk ka bërë gjë për ta. Minat nuk kanë qenë vetëm në vijën e kufirit, por 400 metra matanë kufirit shqiptar. Serbia e kishte të ndaluar të minonte Shqipërinë, pasi ajo nuk ishte në luftë. Shqipëria kishte të drejtë të kërkonte dëmshpërblim për ata njerëz që u aksidentuan. Të njëjtën akuzë e bëjmë edhe për Kosovën e cila nuk ishte as në OKB-se e as në Këshill Sigurimi. Po kjo ishte detyrë që duhet ta bënte Shqipëria.

Në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2000 kemi diku 430 aksidente, më shumë se 109 të vdekur dhe 300 të plagosur. Një nder ta jam dhe unë. Kur po demontoja minën në kufirin shqiptar, shkela një minë dhe humba këmbën e djathë, mbas dy vitesh pune. Aksidenti më ndodhi në 20 korrik të 2001-shit dhe shkova në Danimarkë vura protezën. Pas 6 muajsh u riktheva serish në punë.

Punova dhe dy vjet në territorin e Shqipërisë. Në kohën kur unë punoja në Shqipëri për çmontimin e minave, askush nga shteti shqiptar nuk komunikoi me ne. Asnjë nga të aksidentuarit që unë i njoh emër për emër nuk u dëmshpërblye për këtë që ndodhi. Dhe shteti shqiptar nuk ngriti kurrë pati ndaj Serbisë, që u minua fshehurazi nga ajo, ndërkohë që Shqipëria nuk ishte në luftë”, tha ajo.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT