Si ndikon agjërimi tek futbollistët? Mjeku flet për “karburantin” e trupit

Aktualisht jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe një pjesë e mirë e lojtarëve kanë vendosur të agjërojnë.
Lidhur me ndikimin që agjërimi sjell në trupin e futbollistëve, mjeku Gazment Koduzi foli në emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”.
“Trupi i njeriut nuk punon pa marrë asgjë. Sidomos për sportistët, ai që quhet karburanti i trupit janë karbohidratet. Karbohidratet merren me anë të ushqimit të përditshëm. Për futbollistët që agjërojnë, kjo ndikon në nivelin e karbohidrateve në organizëm”, tha Koduzi.
Studimi – “Po shikoja një studim që ishte bërë në Algjeri me dy ekipe. Ishin marrë në studim lojtarët para, gjatë dhe pas Ramazanit. Ishin vënë re ndryshime në performancën e tyre. Ndryshojnë oraret e ushqyerjes dhe të gjumit. Kjo ndikonte te performanca e lojtarëve. Me performancë quajmë shpejtësinë, rekuperimin pas ndeshjes. Sigurisht që ka anë pozitive, pasi i disiplinon njerëzit, i bën më të fortë psikologjikisht. Gjatë një ndeshjeje futbolli, lojtarët harxhojnë rreth 3000 kilokalori”, është shprehur Gazment Koduzi.