5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit! Shqipëria nderon trimat që luftuan për lirinë

Dita e Dëshmorëve ose 5 maji është dita që përkujtohen të rënët e Shqipërisë.
Kjo datë është shumë e rëndësishme për shqiptarët, pasi në këtë datë kujtohen dhe nderohen trimat që luftuan për Shqipërinë e lirë.
Bota e qytetëruar, shoqëritë e rritura përmes vlerave, ku janë kultivuar parime themelore në ecurinë e brezave, mes të tjerash, e kanë mësuar kombin të kthejë rregullisht kokën mbrapa e të shohë rrugën e përshkuar, të dijë nga vjen, të kujtojë e respektojë historinë e të parëve dhe të mësojë prej asaj kohe se ku do shkojë.
Është kjo arsyeja që pothuaj gjithë shtetet e kombet kanë një ditë në vit që përkujtojnë heronjtë, dëshmorët, të rënët në beteja për atdheun, për kombin.
Disa e quajnë “Dita e Heronjve”, disa të tjerë “Dita e Heronjve Kombëtarë” ose “Dita e Martirëve”.
Ne e quajtëm “Dita e Dëshmorëve të Atdheut” dhe pasi Republika e Kosovës e përshtati këtë ditë përkujtimore, 5 Majin, edhe për bijtë e bijat e saj të rënë për lirinë, u mësuam ta quajmë “Dita e Dëshmorëve të Kombit”. Për arsyet e caktimit të ditës, nga vende të ndryshme vijnë kultura të ndryshme. Shpesh mbahen në ditëlindjen e një heroi apo heroine kombëtare, ose zgjidhet momenti i veprave të tyre të mëdha, që i bëri ata heronj.
Në shumë raste kremtimi i Ditës së Heronjve lidhet me një betejë përcaktuese, ku numri i të rënëve që luftuan kundër armiqve të vendit, ka qenë i madh ose përcaktues për fatet e kombit.