“Lufta” që po rrit rrogën mesatare në 900 euro

Jehona për paga të larta në Shqipëri ka më shumë se një muaj që ushton e përhapet në publik.

Lajmi qëndron si zjarr i ndezur në politikë e media, sepse qeveria e sheh si një reformë historike dhe një vendimmarrje që nuk mund të merrej më herët.

Arsyeja e parë lidhet me faktin që është një rrjedhoje logjike e gjithë masave që janë ndërmarrë në 2022, në lidhje me paketat e rezistencës sociale në kuadër të presioneve inflacioniste dhe rritjes së çmimeve të shkaktuara nga konflikti Rusi-Ukrainë.

Një argument tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me zhvillimet e teknologjisë, pra bizneset shqiptare nuk mund të konkurrojnë më thjesht dhe vetëm me krahun e lirë të punës, por duhet të investojnë në një model të ri, që bazohet në dije dhe në investime në teknologji.

Këtu flasim pastaj dhe për rritje të produktivitetit, pasi nëse një punonjësi do t’i vihen makineri moderne dhe do të trajnohet për vendin e punës, patjetër që do të jetë më produktiv.

Rroga mesatare në Shqipëri në fund të vitit 2022 ishte 66 000 lekë dhe sërish duke bërë një krahasim me rajonin, shihet që përparimi në vendin tonë është më i ngadaltë. Por, vitin e ardhshëm të dhënat mund të shkojnë në favorin tonë, nëse rajoni ecën me hapa më të ngadaltë.

Fuqia reale blerëse e qytetarëve shqiptarë rezulton me ulje, pasi nuk ka rëndësi se sa para merr, por rëndësi ka se çfarë blen ti me ato para. Kur ty të rriten të ardhurat me 20% dhe çmimet janë dyfishuar, automatikisht, ti je varfëruar dhe ke më pak mundësi për të konsumuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT