Rusia ‘kap’ rastin/ Lavrov: Situata në Kosovë mund të provokojë konflikt të ri në Evropë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.

“Një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës – pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe të dokumenteve të OSBE-së”, tha Lavrov gjatë një vizite në Kenia, raporton agjencia shtetërore ruse, RIA Novosti.

Ai shtoi se situata kërkon një “zgjidhje gjeopolitike” që do të garantonte sigurinë e vendeve evropiane.

Sipas tij, “asnjë bllok, përfshirë NATO-n, nuk ka të drejtë të pretendojë dominim në atë pjesë të planetit”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, pasi grupe të serbëve lokalë janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Qeveria e Kosovës i ka mbrojtur veprimet e policisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar ashpër ato, duke paralajmëruar se minimizojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës

Back to top button
LAJMET E FUNDIT