Sanksionet e SHBA-ve, Kurti: Jam i brengosur, por asnjëherë i frikësuar

Kryeministri Albin Kurti në Forumin e Sigurisë në Bratislavë tha se është i brengosur për masat që ka ndërmarrë SHBA-ja kundër Kosovës, për shkak të situatës në Veri të Kosovës, por asnjëherë i frikësuar.
“Jam i brengosur pothuajse gjatë gjithë kohës, por asnjëherë i frikësuar. Po punojmë shumë që të gjejmë një zgjidhje për këtë”, ka thënë Kurti.
Ai më tej tha se nuk mund t’i urdhëron kryetarët e rinj të komunave në Veri të kalojnë në zyra të tjera jashtë objekteve komunale – siç po kërkojnë protestuesit serbë e komuniteti ndërkombëtar – pasi sipas tij kjo do t’i binte sikur “po angazhohem në krijimin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele serbe në Veri”.
“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele. Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri, ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, shtoi ai.
Kurti më tej ka folur edhe për atë se si e sheh ai rrugëdaljen nga tensionet në Veri.
Sipas tij, fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në Veri, dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes.
“Po, punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. E para të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementimi i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pakushte i marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Kurti në Forumin e Bratislavës.