A është në “firo” Policia e Shtetit?! E vërteta e raportimeve për ikjen e 5-7 efektivëve në ditë

Policia e Shtetit ka vetëm 200 vende vakante dhe pretendimet e muajve të fundit se prej kësaj organizate po largohen përditë 5 deri në 7 punonjës, duket se nuk qëndrojnë. Madje, edhe shifra e raportuar në mediat kombëtare, se deri tani janë larguar 600 punonjës policie, nuk është e vërtetë.
Pas këtyre raportimeve, Newsbomb.al kërkoi informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, qëndrimin e tyre për deklaratat në media dhe shifrën zyrtare të vendeve vakante.
“Në lidhje me lajmin e bërë publik në një nga televizionet kombëtare, në të cilin pretendohet se nga radhët e Policisë së Shtetit, kërkojnë të largohen çdo ditë, 5 deri në 7 punonjës policie, të nivelit zbatues dhe se Policia e Shtetit është zbrazur për këtë shkak, sqarojmë opinonin publik se:
Nuk është e vërtetë që muajt e fundit janë larguar 600 punonjës police. Aktualisht, në Policinë e Shtetit janë vakante, 200 vende, për punonjës policie të nivelit zbatues, vende të cilat do të plotësohen nga kursantët që kanë filluar teorinë në Kolegjin e Policisë, më datë 17 tetor 2022″, thuhet në përgjigjen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Megjithatë, edhe në këtë shifër ka nevojë për një sqarim pasi jo të gjithë, pra të 200-të vendet vakante bëjnë fjalë për policë të larguar.
Në këtë numër përfshihen punonjësit e Policisë së Shtetit që janë larguar me dëshirën e tyre, për probleme personale, punonjës policie të cilët në bazë të kritereve të moshës kanë dalë në pension të parakohshëm, punonjësit e Policisë së Shtetit që përjashtohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm për përfshirje në veprimtari të palejuara dhe ata punonjës që shkelin ligjin dhe autoritetet ligjzbatuese vendosin arrestimin.
Në muaj e fundit nuk kanë qenë të pakët rastet kur efektivë të Policisë së Shtetit janë shkarkuar menjëherë nga detyra, sapo janë shfaqur në video të ndryshme në rrjetet sociale duke kryer akte në kundërshtim me detyrën, apo kur janë shfaqur në emisionet investigative.

“Policia e Shtetit ndjek një politikë rinovimi të moshës së punonjësve të policisë dhe në këtë kuadër, vit pas viti, në Akademinë e Sigurisë kryejnë Kolegjin e Policisë, rreth 250 kursantë të cilët pas kryerjes së teorisë dhe praktikës në terren, bëhen pjesë e patrullave të përgjithshme në të gjithë vendin”, vijon sqarimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Të njëjtat shifra ne na janë konfirmuar dhe nga Sindikata e Policisë së Shqipërisë, e cila thotë se në bazë të raporteve periodike dhe kontakteve të tyre me punonjës të Policisë së Shtetit e vetë këtë organizatë, raportimet mediatike për ikjen e 5 deri në 7 policëve në ditë janë të pasakta.
// Ilir XHAFAJ