Inaugurohet kompania Ryanair në Aeroportin e Rinasit: Nisim me 17 itinerare të reja

Një tjetër kompani ajrore i shtohet Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza. Bëhet fjalë për kompaninë irlandeze low cost Ryanair. Drejtuesi ekzekutiv i Ryanair, Eddie Wilson, në fjalën e mbajtur u shpreh se në një periudhë afat shkurtër, kjo kompani do të ketë 17 itinerare të reja, 200 fluturime në javë dhe do të transportojnë të paktën 2 milionë pasagjerë vetëm gjatë vitit të parë.
“Njerëzit kanë pyetur përse kërkon kaq kohë të vijmë në Shqipëri dhe unë mendoj që përgjigja qëndron në një sërë çështjesh. Qeverisë iu desh te ulte taksat në koston e aksesit dhe kjo është kaq e rëndësishëm, sepse aeroporti konkurron me çdo aeroport tjetër në Europë. Unë mendoj që objektet mjaft efikase që u realizuan nga Kastrati Group sot, janë natyrisht një shembull për Europën e ndërtuar në fakt në një kohë rekord dhe dua t’ju shtri dorën për këtë arritje fantastike. Kemi po kështu një ekonomi në rritje këtu. Erdhëm në qytet mbrëmë dhe energjia e asaj çka po bëhet në këtë vend është e prekshme. Udhëtimi ajror nuk është privilegj i disave është një nevojë absolute, sidomos për ekonomitë në rritje. Dhe mund t’ju them që si pionierët e fluturimeve me kosto të ulët në Europë gjatë këtyre 35 viteve, vendi ynë, Irlanda, është transformuar tërësisht nga kjo. Jo vetëm në kuadër të turizmit, por edhe të mënyrës sesi njerëzit do të vijnë dhe do të shkojnë, etj. Mendoj që kjo është një pikënisje fantastike sot këtu. Ryanair sot në një periudhë afat shkurtër do të ketë 17 itinerare të reja, do të kemi 200 fluturime në javë dhe do të transportojnë të paktën 2 milionë pasagjerë gjatë vitit të parë të operacioneve tonë.
“Është me gjasë investimi më i madh i mundshëm që kemi bërë në një aeroport sepse kemi besim tek ajo që po bëni këtu sot dhe duam që t’ju shoqërojmë në këtë rrugëtim. Por si do ta bëjmë këtë rrugëtim së bashku? Gjatë viteve që vijnë, vitin që vjen psh, Ryanair do të marrë dërgesën e 110 avionëve, nga 2027 deri në 2033 do të kemi 300 avionë. Dhe duam që shumicën e tyre t’i sjellim sa më shpejt të jetë e mundur dhe sa më shpesh të jetë e mundur në Shqipëri”, tha Wilson.
Kujtojmë se në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të kryeqytetit sapo ka përfunduar zbatimi i projektit për zgjerimin e kapaciteteve, si dhe transformimin në tërësi të gjithë hapësirës, sipas standardeve të njëjta me infrastrukturat aeroportuale në vende të zhvilluara të botës.
Investimi i përmbyllur me sukses të plotë, i cili krijon lehtësira të mëdha për pasagjerët, erdhi si nevojë e rritjes nga viti në vit të fluksit të udhëtarëve, që aktualisht po vendos rekorde me shifra të paimagjinueshme deri para pak kohësh.
Me investimet e realizuara deri tani, Aeroporti i Rinasit është reformuar tërësisht për të pritur rreth 10 milionë pasagjerë. Ndër të tjera, flotës që operon përmes aeroportit tonë do t’i shtohet tashmë edhe kompania e njohur Ryanair, duke shtuar kështu numrin e destinacioneve dhe duke rritur konkurrencën.
*Ryanair DAC është një kompani ajrore irlandeze, ultra low cost (me çmime shumë të ulëta) e themeluar në vitin 1984. Me seli në Swords, Dublin të Irlandës dhe bazat kryesore operacionale në aeroportet e Dublinit dhe Stansted të Londrës. Përbën pjesën më të madhe të rrjetit të linjave ajrore Ryanair Holdings dhe ka Ryanair UK, Buzz, Lauda Europe dhe Malta Air si linja ajrore simotër. Është linja ajrore më e madhe e Irlandës dhe në vitin 2016 u bë linja ajrore më e madhe në botë të rezervimeve nga pasagjerët ndërkombëtarë. Ryanair Group operon më shumë se 500 avionë. Kompania u shërben mbi 40 vendeve në Europë, Afrikën e Veriut (Marok) dhe Lindjen e Mesme (Izrael dhe Jordani).