Një ditë pas aksionit në Manzë, Rama shkon në Tel Aviv: Takim me liderin botëror të sigurisë kibernetike

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Izrael, ku mesa duket fokusi ka qenë te siguria kibernetike. Në një postim në Facebook kreu i qeverisë shqiptare shkruan se është takuar me Gil Shwed, liderin e teknologjisë së lartë të Izraelit.
“Tel Aviv – Një vizitë tejet mbresëlënëse në kompaninë CheckPoint, lider botëror në Sigurinë Kibernetike, ku pata privilegjin e takimit me themeluesin e saj, legjendën e teknologjisë së lartë në Izrael, Gil Shwed”, shkruan Rama.
Kjo vizitë vjen një ditë pas aksionit të Policisë me urdhër të SPAK-ut, të zhvilluar në kampin e muxhahedinëve në Tiranë, pas dyshimeve se disa anëtarë të MEK janë përfshirë në aktivitet kriminal. Veprat penale për të cilat po hetohet janë: përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike; ndërhyrje në të dhënat kompjuterike; ndërhyrje në sistemet kompjuterike; keqpërdorim i pajisjeve.
