SHBA gjithmonë krah Shqipërisë e shqiptarëve! Ish-presidenti Bill Clinton vjen në Tiranë, zbulohet data

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton do të vijë në Tiranë më 4 korrik. Ai do të jetë për herë të parë në Shqipëri, në një vizitë që përkon me Ditën e Pavarësisë së Amerikës.
Ai shërbeu si presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara nga viti 1993 deri në 2001. Më parë ai shërbeu si guvernator i Arkansas nga 1979 në 1981 dhe përsëri nga 1983 në 19 , dhe si prokuror i përgjithshëm i Arkansas nga viti 1977 deri në 1979.
Katër vite më parë, Bill Clinton u mirëprit në Kosovë me ceremoni të lartë dhe u nderua me “Urdhrin e Lirisë” nga ish-presidenti Hashim Thaçi.
Kur ishte president i Amerikës në vitin 1999, ai dha urdhër që trupat e NATO-s të ndërhynin në Kosovë dhe të bombardonin trupat e ushtrisë jugosllave. Kjo shënoi një pikë kthese në luftën e Kosovës për liri.
Dita e Pavarësisë është një festë federale në Shtetet e Bashkuara, në të cilën përkujtohet Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, më 4 korrik 1776.
Bill Clinton do të vijë në Shqipëri me ftesë të kryeministrit Edi Rama, për t’i shprehur falënderimin për gjithçka ai dhe SHBA bënë për Shqipërinë, Kosovën dhe Rajonin.