Shqipëria po punon ta bind Taulant Xhakën të rikthehet në Kombëtare

Ishte muaji nëntor i vitit 2021, kur Taulant Xhaka deklaroi fundin e karrierës së tij me Kombëtaren e Shqipërisë.

Por kur kanë kaluar rreth dy vite, ka një përpjekje nga Shqipëria për ta rikthyer atë në Kombëtare, pasi shihet si element shumë i vlefshëm në repartin e mesfushës.

Ka qenë mediumi zviceran ‘4-4-2.ch’ që ka raportuar se FSHF po mundohet ta bindë Xhakën të rikthehet te Shqipëria dhe t’i ndihmojë kuqezinjve për kualifikim në Euro 2024.

Sipas informacioneve të 4-4-2.ch , brenda FSHF-së është rritur bindja se Xhaka ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës në të kaluarën dhe se do të përdorte përvojën e tij për të bërë hapin e madh drejt Kampionatit Evropian.

Xhaka është prioritet kryesor i FSHF-së dhe është pikërisht presidenti Armand Duka që ka marrë përsipër punën për ta rikthyer Taulantin me fanellën kuqezi.

32-vjeçari për herë të fundit fanellën e Kombëtares së Shqipërisë e kishte veshur më 7 shtator të vitit 2019 kur luajti 17 minuta në humbjen 4-1 ndaj Francës, derisa tre ditë më vonë ishte në bankën rezervë në fitoren 4-2 ndaj Islandës.

Xhaka ka zhvilluar 30 ndeshje me Shqipërinë, ku ka qenë edhe ndër lojtarët më meritor që kuqezinjtë shkuan në Kampionatin Evropian, Euro 2016.

Mesfushori i Baselit debutimin me kuqezinjtë e ka bërë më 7 shtator të vitit 2014, derisa në vitet e fundit kishte probleme me trajnerët si Eduardo Reja dhe Christian Panucci.

Mbetet të shihet nëse presidenti Duka do t’ia dalë ta bind Xhakën që të rikthehet te Shqipëria.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT